Follow us on:

Nunciatura apostolike në Panama organizoi pritje lamtumirëse për Ambasadoren Rudi

Panama, 27 shtator 2019 – Nunci Apostolik në Panama, z. Miroslaw Adamczyk njëherësh Dekan i Trupit Diplomatik në Panama, organizoi të premten një pritje lamtumirëse me rastin e përfundimit të misionit diplomatik në Panama nga Ambasadorja e Republikës së Kosovës, znj. Zana Rudi.

Në pritje ishin prezent Ambasadorët e akredituar në Panama dhe mysafirë të shumtë të ftuar nga Ninciatura Apostolike.

Nunci apostolik, Miroslaw Adamcyk falënderoi Ambasadoren Rudi për shërbimin e saj në Panama si një ambasadore e re dhe e përkushtuar.

Në anë tjetër, Ambasadorja Rudi e falënderoi Nuncin Adamczyk për këtë pritje dhe tha se ndihet e nderuar për këtë pritje dhe bashkëpunimin me gjithë misionet diplomatike prezente.

Ajo tha se për shkak të punës dhe kujtimeve të krijuara së bashku, vendimi i saj për t’u larguar ishte edhe më i vështirë.

“Kam mbërritur në Panama në 1 nëntor 2013 në 30 vitet e mia. Çfarë privilegji për mua që të hapi dhe të drejtoj ambasadën e parë të Kosovës në Panama dhe Amerikën Latine. Pata nderin të shërbeja si e Ngarkuar me Punë gjatë viteve të para dhe më pas si ambasadore për gati tre vjet të tjera. Dhe nga këtu kam shërbyer si ambasadorja e parë e Kosovës në shtatë vende të tjera, dhe e mbulova këtë rajon të tërë kaq të rëndësishëm për Kosovën dhe botën”, tha Ambasadorja Rudi në fjalimin e saj.

Ajo tha se gjatë gjithë këtyre viteve pozicioni i Kosovës është forcuar përmes shumë miqësive, vizitave dhe projekteve të bashkëpunimit me Panamanë dhe rajonin.

Ambasadorja Rudi i nënvizoi si momente të veçanta gjatë shërbimit të saj në Panama dhe vendet e rajonit si: Njëqindvjetori i Kanalit të Panamasë; Samiti i Amerikës; Zgjerimi i kanalit të Panamasë; Vizita e Papa Françeskut; Pesëqind vjetori i themelimit të Qytetit të Panamasë si dhe Inaugurimet e presidentëve në Panama dhe vendet e rajonit.

“Kosova dhe Panamaja kanë mbajtur ngjarje të rëndësishme që na kanë bashkuar si vende, siç janë vizitat në nivel të presidentëve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, ministrave, zyrtarët të tjerë qeveritar, marrëveshjeve, Grupi i Miqësisë ndërparlametar Kosovë-Panama, mekanizmi i parë i konsultimeve politike dhe shumë të tjera. Dhe nga ky vend i bukur ne kemi arritur të hapim rrugë edhe me vendet e rajonit”, tha Rudi, duke e falënderuar Panamanë që është pozicionuar në mënyrë strategjike për të na hapur këtë rrugë.

Ambasadorja Rudi tha se duke ardhur nga toka që i dha botës një nga njerëzit më me ndikim, Shën Terezën e madhe, nuk mund të mos kujtoj një nga citatet e saj të famshme që përfaqësojnë më së miri shqiptarët.

"Nuk është mbi të gjitha sa japim, por me sa dashuri vendosim për të dhënë”.

Ekipi im dhe unë punojmë shumë dhe ne e bëjmë atë me përkushtim dhe dashuri të madhe. Ky është kuptimi i vërtetë i të qenurit nga ku jemi ne.