Follow us on:

Takimet lamtumirëse të Ambasadores Rudi në Panama

Panama, 30 shtator 2019 - Ambasadorja e parë e Republikës së Kosovës në Panama, znj. Zana Rudi, e cila ka shërbyer në këtë mision diplomatik që nga themelimi i tij më 15 nëntor të vitit 2013, fillimisht duke shërbyer si e Ngarkuar me Punë për 3 vite, dhe pastaj Ambasadore për 2 vite e gjysmë, po e përfundon misionin diplomatik në Panama.

Ambasada e parë dhe e vetme në Amerikën Latine dhe Karaibe, gjatë gjithë kësaj kohe, ka zhvilluar një aktivitet të ngjeshur diplomatik, duke i mbuluar zyrtarisht në nivel të Ambasdorit rezident dhe jo-rezident deri më sot tetë vende të këtij rajoni: Panamanë, El Salvadorin, Hondurasin, Kostarikën, Saint Kitts dhe Nevis, Belizen, Saint Lucian dhe shtetin e Gajanas, me synimin për të rritur edhe më shumë shtrirjen gjeografike në këtë rajon. 

Që nga hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Panama, është bërë një punë e jashtëzakonshme, duke thelluar miqësinë me Panamanë. Janë zhvilluar shumë vizita shtetërore në nivel të presidentëve, kryetarit të Kuvendit, ministrave dhe të autoriteteve të ndryshme qeverisëse e institucioneve tjera të Kosovës. Gjithashtu është mbajtur takimi i parë i mekanizmit të konsultimeve politike mes Kosovës dhe Panamasë dhe janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi. Po ashtu është krijuar edhe Grupi i Miqësisë mes Parlamenteve të Kosovës dhe Panamasë.

Rëndësia e këtij misioni është vërejtur edhe me angazhimet për organizimin e vizitave shtetërore të presidentëve të Kosovës në Honduras dhe pjesëmarrjen e delegacionit kosovar në krye me Presidentin e Repubikës së Kosovës në Lojrat Olimpike të mbajtura në Brazil në vitin 2016.

Gjithashtu, me iniciativë të Ambasadës së Kosovës në Panama, shumë shpejt, do të bëhet edhe inaugurimi shtatores së Shën Terezës në një nga sheshet kryesore të Qytetit të Panamasë si shenjë e miqësisë mes dy shteteve. Tashmë shtatorja e Shën Terezës ndodhet në Panama dhe vetëm pritet inaugurimi i saj.

Ambasadorja Rudi ka filluar takimet lamtumirëse me autoritetet panameze si dhe me Korin Diplomatik të akredituar në Panama, me të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe ka pas një bashkëpunim të jashtëzakonshëm.

Ambasadorja Rudi mbajti takime lamtumirëse me Drejtorin e Përgjithshëm të Politikës së Jashtme të MPJ-së së Panamasë, Ambasadorin Jose Ulises Lescure, Ambasadoren e Kostarikës në Panama, znj. Gioconda Ubeda, Ambasadorin e Hondurasit, z. Germán Vicente García, Ambasadoren e El Salvadorit, znj. Diana Vanegas, Ambasadorin e Bolivisë, z. Pastor Mamani Villca, Ambasadorin e Katarit, z. Saad Mubarak Al-Naimi dhe shumë tjerë.

Panamaja e ka njohur Republikën e Kosovës në janar të vitit 2009 ndërsa në gusht të vitit 2013 është nënshkruar komunikata e përbashkët duke vendosur kështu marrëdhënie diplomatike dhe duke i hapur derën Kosovës në këtë rajon për të shtrirë edhe më gjerë rrjetin diplomatik nëpër botë.