Follow us on:

Ambasadorja Telaku prezantoi kopjet e letrave kredenciale pranë Ministrisë së Punëve Jashtme të Panamasë

Panama, 4 mars 2020 – Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, znj. Heroina Telaku, në një ceremoni zyrtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Panamasë, ia ka dorëzuar kopjet e letrave kredenciale zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Panamasë, z. Federico Alfaro Boyd, duke filluar kështu zyrtarisht udhëheqjen e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Panama.

Ambasadorja Telaku parakaloi pranë Gardës së Nderit në sheshin “Los Libertadores” brenda ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Panamasë.

Pas ceremonisë së dorëzimit të letrave kredenciale, Ambasadorja Telaku dhe zëvendësministri Boyd kanë zhvilluar një bisedë miqësore, me ç’rast zëvendësministri Boyd i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Panamasë ambasadores Telaku, si dhe ka shprehur kënaqësinë e tij për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet dy shteteve tona.

Ambasadorja Telaku e falënderoi zëvendësministrin Boyd për përkrahjen që Republika e Panamasë i ka ofruar Republikës së Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve.

Ajo tha se do të ofrojë të gjithë përvojën dhe gatishmërinë e saj që ky bashkëpunim i mirë ndërshtetëror të vazhdojë të thellohet edhe më tej.

Ambasadorja Telaku i përcolli zëvendësinistrit Boyd përshëndetjet e përzemërta të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca.

Ambasadorja Telaku, është ambasadorja e dytë e Kosovës në Panama. Para se të emërohej ambasadore në Panama, znj. Telaku ka shërbyer si e Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër.