Follow us on:

Ambasadorja Telaku takime me Drejtorin e Përgjithshëm për Politikë të Jashtme në MPJ të Panamasë dhe me Ambasadorët e Belgjikës dhe të Hondurasit

Panama, 29 korrik 2020 – Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, znj. Heroina Telaku, ka vazhduar takimet njoftuese në Panama, ku ka realizuar një takim virtual me Drejtorin e Përgjithshëm për Politikë të Jashtme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Panamasë, z. Ulise Lescure. Ambasadorja Telaku fillimisht e njoftoi z. Lescure për të arriturat e përgjithshme të Kosovës, për fillimin e misionit të saj në Panama si dhe për menaxhimin e pandemisë në Kosovë.

Ambasadorja Telaku e falënderoi z. Lescure për mbështetjen që Republika e Panamasë, respektivisht Ministria e Punëve të Jashtme i ka ofruar Republikës së Kosovës dhe veçanërisht Ambasadës në Panama në të gjitha fushat.

Ambasadorja Telaku dhe Drejtori Lescure po ashtu biseduan edhe për thellimin e bashkëpunimit bilateral.

Ajo tha se pret që shumë shpejt me autoritetet në Panama t’i finalizojnë projektet e përbashkëta të nisura më herët si marrëveshjet në fusha të ndryshme si dhe vendosjen e shtatores së Shën Terezës, dhuratë kjo e Kosovës për Panamanë e cila do të vendoset në një nga sheshet kryesore të qytetit të Panamasë.

Ambasadorja Telaku gjithashtu zhvilloi një takim njoftues edhe me Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Panama z. Michel Dewez të cilin e falënderoi për mbështetjen e madhe që Mbretëria e Belgjikës i ka dhënë Kosovës ndër vite.

Ajo tha se marrëdhëniet e shkëlqyeshme dylapëshe në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës do të vazhdojnë edhe përmes misioneve tona diplomatike në Panama.

Gjithashtu, Ambasadorja Telaku pati një takim njoftues edhe me Ambasadorin e Hondurasit në Panama, z. German Vicente Garcia. Në këtë takim, Ambasadorja Telaku shprehu mirënjohje për përkrahjen që Kosova ka marrë nga Hondurasi që nga njohja e pavarësisë.

Ajo tha se Kosova dhe Hondurasi si shtete mike, do të vazhdojnë të thellojnë edhe më tej këtë bashkëpunim të shkëlqyeshëm.

Të dy ambasadorët i uruan suksese Ambasadores Telaku dhe theksuan gatishmërinë për bashkëpunim në të gjitha fushat e interesit të përbashkët të shteteve që ata përfaqësojnë.