Follow us on:

Biografia

Zana Rudi Ambasadore e Republikës së Kosovës në Panama

 

Zana Rudi – Biografia

Zana Rudi është Ambasadore e Republikës së Kosovës në Panama, prejse u emërua nga Presidenti i Kosovës në dhjetor të vitit 2016, duke u bërë ambasadorja e parë e Kosovës në këtë shtet, nga ku mbulon të gjithë rajonin. Ambasadorja Rudi i paraqiti kredencialet Presidentit të Panamasë duke filluar edhe zyrtarisht punën e saj si ambasadore në Panama me 9 shkurt 2017.

Para se të bëhet Ambasadore, Zana Rudi ka shërbyer si shefe e misionit në Qytetin e Panamasë, Panama ku edhe filloi karrierën e saj në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, duke hapur dhe drejtuar ambasadën e parë dhe të vetme të Kosovës në Amerikën Latine. 

Para se të fillojë karrierën në shërbimin e jashtëm, Zana Rudi në vitin 2011, u kthye në Kosovë nga SHBA për t'iu bashkuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në cilësinë e këshilltares së Ministrit duke kontribuar në politikën jashtme të Kosovës, duke iu bashkuar kështu përpjekjeve institucionale për forcimin e imazhit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Menjëherë pas përfundimit të studimeve pasuniversitare në Universitetin prestigjioz të Harvardit, në vitin 2010 ajo iu bashkua State Street Corporation në Boston në tri ekipe në Tregjet Globale. Në Programin e Zhvillimit Profesional të State Street Corporation ajo pati rastin të mësojë për sektorin privat në një kompani me rëndësi. Kjo përvojë është treguar e nevojshme në përpjekjet në diplomaci ekonomike.

Në studimet e magjistraturës në Harvard Kennedy School, përkrahur nga Fondi KAEF, ajo u diplomua me titullin magjistër në Politika Publike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Globale.

Përvojat profesionale të ambasadores Rudi përfshijnë edhe dy angazhimet e saj në organizatat multilaterale me UNHCR në Nju Jork dhe Bankën Botërore në Prishtinë. 

Para se të fillojë studimet e magjistraturës në 2006, në moshën 23 vjeçare, Zana ishte pjesë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokale në cilësinë e shefes së kabinetit të Ministrit, ku ajo përforcoi përvojën dhe pasionin e saj për politikat publike në nivel qendror dhe lokal (përmes grupeve punuese si ato për zgjedhjet, decentralizim, etj).

Në vitin 2002, Zana Rudi u regjistrua në Universitetin Graceland-it në Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si pjesë e një programi të bursave të promovuar nga Ambasadori i atëhershëm i SHBA në Kosovë, SH.T. Z. John Menzies. Në Graceland, Zana ndoqi studime ndërkombëtare, shkenca politike, histori dhe spanjisht.

Me gjithë përvojat e saj, Zana kishte një dëshirë të fortë për t’i përdorur ato në Kosovë për të ndihmuar në zhvillimin e vendin e saj.

Për angazhimin e saj meritor dhe kontributin për shoqërinë të vlerësuar nga Universiteti i Graceland-it, Zana Rudi në prill të vitit 2017 u nderua me Çmimin “Doktor Nderi” nga ky universitet.

Zana është e martuar dhe ka një vajzë.