Follow us on:

Deputetët e Kuvendit saudit njihen me zhvillimet në Kosovë

Rijad, 11 shkurt 2020 – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Rijad, z.Lulzim Mjeku zhvilloi të martën një takim me deputetë në Kuvendin (Mexhlis Shura) e Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Ambasadori Mjeku u takua me grupin e deputetëve anëtarë të Komitetit të Miqësisë, në krye me prof. Abdullah Alharbi.

Kryetari Alharbi pasi i uroi mirëseardhje ambasadorit i shprehu përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën dhe e vlerësoi takimin si një mundësi të mirë për t'u njoftuar për së afërmi për zhvillimet në Kosovë.

Ambasadori Mjeku u foli deputetëve për ngritjen institucionale politike dhe rolin e Republikës së Kosovës në forcimin e brendshëm të saj, rolin në forcimin e stabilitetit rajonal dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe ua rikujtoi përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Të dy palët bashkëbiseduan për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes dy shteteve dhe shkëmbyen pikëpamje e qëndrime për perspektivat e përparimit të marrëdhënieve në të ardhmen.

Deputetët e grupit të miqësisë shfaqën interesim për stadin e zhvillimit ekonomik e social të Kosovës dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral.