Follow us on:

Ambasadori Mjeku takoi autoritetet e Medinës

Medine, 24 shkurt 2020 – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Arabisë Saudite, z. Lulzim Mjeku, ka vizituar qytetin e Medinës, në përpjekje për të nxitur shëmbimet ekonomike tregtare dhe për ta bërë të njohur shtetin dhe shoqërinë e Kosovës, vlerat dhe aspiratat e saj.

Ambasadori Mjeku ka takuar zëvendësguvernatorin e Medinës, princin Saud Bin Khalid Al-Faisal, me të cilin ka shkëmbyer pikëpamje dhe dhurata rasti, në margjina të Festivalit Ndërkombëtar të Kulturave Popullore.

Në një takim tjetër zyrtar me rektorin e Universitetit Islamik të Medinës, dr. Muhamed al-Utejbi, z.Mjeku u informua se ky universitet mbështet dhe organizon festivalin e kulturave popullore ku marrin pjesë 100 shtete, me qëllim të njohjes me kulturat prej nga vijnë studentët që studiojnë aty.

Ambasadori Mjeku shprehu kënaqësinë që ky festival paraqet kulturat e popujve nga të gjitha kontinentet e botës, si një familje e madhe, dhe se është i kënaqur që pjesëmarrëse është edhe Republika e Kosovës. Me këtë rast, ai takoi dhe falëderoi edhe studentët kosovarë të cilët në këtë festival kishin ngritur këndin e shtetit nga vijnë, duke paraqitur Kosovën me literaturë, informacion të thuktë dhe veshje autoktone.

Gjatë qëndrimit në këtë qytet, ambasadori Mjeku pati një takim zyrtar edhe me nënkryetarin e Odës së Tregtisë të Medinës, Dr. Khalid Al-Dagal. Në takim, ambasadori Mjeku prezentoi tri zhvillimet madhore që kanë ndikim në marrëdhëniet ekonomike-tregtare ndërmjet dy vendeve.

Marrëveshja për Anulimin e Tatimeve të Dyfishta ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite, Ligji për Sigurimin e Investimeve të Jashtme në Kosovë, sikurse dhe lehtësitë në politikat tatimore dhe doganore, premtojnë kushte të favorshme për të nisur bashkëpunimin ekonomik-tregtar, u tha në këtë takim.

Në vijim përfaqësuesit e Odës së Tregtisë u interesuan për fushat prioritare për bashkëpunim. Ambasada e Kosovës në Rijad ka ngarkuar një diplomat për t’u marrë me çështje të diplomacisë ekonomike.