Follow us on:
Shkendije Geci Sherifi Ambasadore e Republikes së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë
Shkëndije Geci Sherifi është Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë që nga maji i vitit 2019. Para emërimit të saj si ambasadore në Suedi, ajo ishte Drejtoreshë e Departamentit për Bashkimin Evropian dhe Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Nga viti 2013 Shkëndije Geci Sherifi shërbeu si Ambasadore e Republikës së Kosovës në Kroaci. Pas përfundimit të misionit të saj diplomatik në Kroaci, Presidentja e Republikës së Kroacisë, e dekoroi atë me Urdhërin e Dukës Branimir për kontribut të shkëlqyeshëm në promovimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Kroacisë. Para këtij misioni diplomatik, ajo shërbeu si Ambasadore Republikës së Kosovës në Hungari nga viti 2010 deri në vitin 2013 ku edhe themeloi Ambasadën e parë të Kosovës në Budapest. Shkëndija është ambasadorja e parë grua e Republikës së Kosovës. Ajo u emërua menjëherë pasi Kosova filloi të themelojë misionet e para diplomatike në kryeqytetet botërore. Pas përfundimit të misionit të saj diplomatik në Budapest, ajo u dekorua me Urdhërin e Meritës të Hungarisë nga Presidenti Hungarez për shërbimin e jashtëzakonshëm në promovimin e marrëdhënieve dypalëshe të të dyja vendeve.

Nga viti 2008 deri në emërimin e saj si Ambasadore Shkëndije Geci Sherifi ka punuar në Zyrën Civile Ndërkombëtare /Përfaqësuesin Special të BE-së, ku ka qenë përgjegjëse për Politikat e Trashëgimisë Fetare dhe Kulturore. Shkëndija ka qenë bashkëpunëtore e jashtme në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë që nga viti 2001 deri me 2008 ajo ka punuar për Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSBE në Kosovë në Departamentin për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit dhe Ngritjen e Kapaciteteve. Për më tepër, nga 2000 deri në 2004 ajo ka qenë anëtare aktive në Komitetin e Ekspertëve për Edukimin dhe Rininë të Qendrës Evropiane për Çështje të Pakicave ECMI.

Para se të fillonte karrierën e saj diplomatike, Shkëndije Geci Sherifi ka ndjekur programe dhe trajnime të ndryshme akademike dhe profesionale në universitete dhe institucione me renome në Evropë dhe SHBA.

Shkëndije Geci Sherifi ka përfunduar Doktoraturën në fushën e Politikave të Jashtme dhe të Sigurisë në Universitetin Kombëtar të Shërbimive Publike, Instituti për Studime Ndërkombëtare në Budapest ndërkohë që ka Master në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës. Ajo gjithashtu ka ligjëruar lëndën Diplomacia dhe Politika në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë.

Shkëndije Geci Sherifi është autore e shumë artikujve shkencor të botuar në revista të ndryshme akademike ndërkombëtare.

Shkëndije Geci Sherifi ka lindur me 14 shkurt 1972 në Gjilan, Kosovë. Ajo është e martuar me Tansel Sherifin dhe kanë dy fëmijë, Nisa dhe Eneu.