Follow us on:

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj vizitë në Stokholm

Stokholm, 29 maj 2017 - Ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Mimoza Ahmetaj, po merr pjesë në seminarin e bashkë-organizuar nga Përfaqësimi i Komisionit Evropian në Suedi dhe Ministria e Jashtme e Suedisë i cili po mbahet në Stokholm.

Në këtë seminar me temë ‚Ballkani Perëndimor dhe integrimet në BE‘, ministrja Ahmetaj gjatë prezantimit para publikut të përbërë nga shoqëria civile, kori diplomatik dhe përfaqësues institucionesh vendore e ndërkombëtare, por edhe si anëtare e panelit, foli për progresin, sfidat dhe planet e Republikës së Kosovës por edhe të Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimeve evropiane.

Pjesëmarrës në këtë seminar ishin ministrat dhe zëvendësministrat e punëve të jashtme dhe të integrimeve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (përveç Malit të Zi) dhe zyrtarët e lartë nga Komisioni Evropian në Bruksel. Përveç diskutimeve dhe prezantimit në seminar, ministrja Mimoza Ahmetaj pati takime me homologët nga rajoni, si dhe zhvilloi edhe një takim bilateral me ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Margot Wallstrom e cila gjithashtu ishte nikoqire dhe pjesëmarrëse e seminarit. Gjatë këtij takimi bilateral ndër të tjera u bisedua për përkrahjen e Suedisë për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kryediplomatja suedeze, Wallstrom e falënderoj ministren Ahmetaj për pjesëmarrjen në seminar dhe kontributin gjatë punimeve.
Kjo është hera e dytë që organizohet një seminar i tillë me pjesëmarrje të ministrave nga Ballkani Perëndimor dhe u akordua që në pjesën e dytë të vitit të organizohet sërish një i tillë me temë konkrete të bashkëpunimit të ndërshtetëror në rajon dhe me BE.