Follow us on:

Ambasada e Kosovës në Stokholm organizoi pritje për përfaqësues të institucioneve suedeze

Stokholm, nëntor 2019 - Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm ka organizuar pritje për deputetë të Grupit parlamentar të miqësisë Suedi-Kosovë, deputetë nga komisionet parlamentare për Kulturë, Drejtësi dhe Bashkimin Evropian në Parlamentin e Suedisë, me qëllim të thellimit të rrjetit bashkëpunues midis dy vendeve.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të tjera suedeze si dhe organizatave ndërkombëtare që kanë projekte të ndryshme në Republikën e Kosovës.

Në fjalën e saj, ambasadorja Shkëndije Geci Sherifi falënderoi të pranishmit për bashkëpunimin dhe potencoi nevojën për të vazhduar dhe intensifikuar përkrahjen për shtetin e Kosovës.

Përveç rrjetizimit dhe shkëmbimit të informacioneve, gjatë kësaj mbrëmje pati edhe një komponentë artistike pasi në ambientet e Ambasadës ishin ekspozuar pikturat e ish diplomatit britanez, Jeremy Lindstone, të gjitha me motive nga Kosova të cilat ambasadorja Geci Sherifi i prezantoi si "Bukuritë e Kosovës parë nga një sy i huaj".

Para mysafirëve me këngën e bukur patriotike suedeze "Värmlands Visan" dhe këngën mahnitëse shqipe qindra vjeçare "Moj e bukura More", u paraqit sopranoja kosovare që jeton dhe vepron në Stokholm, znj. Albina Isufi.