Follow us on:

Ambasadori Gashi vizitoi Konsullatën e Përgjithshme të Togës në Dakar

Dakar, 09 Nëntor 2017 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Senegal, Ramadan Gashi, i shoqëruar nga diplomati i Ambasadës, Sami Halili, vizitoi Konsullatën e Përgjithshme të Togos në Dakar, ku u prit nga konsulli i Përgjithshëm, Pascal Bléwussi Daugbey.

Konsulli i uroi mirëseardhje ambasadorit Gashi në kontinentin afrikan, veçanërisht e uroi për hapjen e ambasadës në Senegal, si dhe e falënderoi për këtë vizitë. Ai njoftoj se dosja e ambasadorit Gashi për akreditim në Togo është në përfundim e sipër, dhe se shumë shpejt, ambasada e Republikës së Kosovës në Dakar, do të marr përgjigjen pozitive për këtë çështje. Ambasadori Gashi i pranoi me mirësjellje urimet e  Daugbey dhe e falënderoi për njohjen e Kosovës nga shteti i tij, dhe për raportet mes dy vende. 

 

Në vazhdim ambasadori Gashi njoftoi konsullin e Përgjithshëm për ecurinë e zhvillimeve rreth anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku fokus pati te Interpol dhe UNESCO, por në veçanti u bisedua edhe për konferencën e Organizatës Botërore të Doganave, e cila do të mbahet në Kajro, për të cilën ambasadori Gashi kërkoi  mbështetje për Republikën e Kosovës, gjatë punimeve të kësaj konference. 

 

Gjithashtu ambasadori Gashi i kërkoi konsullit Daugbey mbështetjen e shtetit të tij për një votim në favor të Republikës së Kosovës, edhe gjatë procesit për anëtarësim të Republikës së Kosovës në Interpol dhe UNESCO.

 

Gjatë bisedës, ambasadori Gashi i propozoi konsullit Daugbey një bashkëpunim në mes të dy shteteve në fushën e arsimit të lartë, këmbimit ndërkulturor përmes ‘universiteteve verore’ të zhvilluara në Prishtinë, vizitave ndër-parlamentare, gatishmërinë e organizimit të sesioneve të ndryshme nga Akademia Diplomatike e Kosovës për diplomatë të Togos,  si dhe të një bashkëpunimi ekonomik në mes dy vendeve.

 

Konsulli i Përgjithshëm e mirëpriti këtë iniciativë për këtë bashkëpunim konkret në mes dy vendeve tona.

 

Gjithashtu, ambasadori Gashi i shprehu brengën e tij rreth zhvillimeve të fundit politike në Togo, ku gjatë përleshjeve ka pasur edhe të vrarë dhe të plagosur. 

 

Tutje biseda u zhvillua duke bërë krahasime në mes të dy vendeve, në aspektin juridiko-kushtetues.