Follow us on:

Ambasadori Gashi priti ambasadorin e Bregut të Fildishtë

Dakar, 28 shkurt 2020 - Ambasadën e Republikës së Kosovës në Senegal, të premten e vizitoi ambasadori i Bregut të Fildishtë, z. Sekou Toure, i cili shërben në Dakar, nga fundi i vitit të kaluar. Ambasadori Toure ishte i shoqëruar nga zëvendësja e tij dhe zyrtarja e protokollit, kurse ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Ramadan Gashi, në takim ishte bashkë me zëvendësin e tij, diplomatin Sami Halili.

Ambasadori Gashi i uroi mirëseardhje ambasadorit Toure dhe e njoftoi atë rreth historikut të Republikës së Kosovës, para dhe pas luftës së fundit, procesin e shpalljes së Pavarësisë, deri në ditët e sotme.

Temë e bisedës ishte edhe mundësia e bashkëpunimit ekonomik, ku ambasadori Toure, pasi falënderoi z.Gashi për mikpritjen, theksoi se Bregu i Fildishtë është ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë të kafesë dhe kakaos, bananeve dhe frutave ekzotike, dhe se bashkëpunimi në këtë fushë do të ishte shumë i mirëpritur nga qeveria e tij.

Nga ana e tij, edhe ambasadori Gashi, në këtë takim theksoi se Republika e Kosovës njihet për mineralet e saj, ndërmarrësi dhe politika lehtësuese për investitorë të huaj. Gjithashtu, ai tha se Republika e Kosovës ka një rini të shëndoshë e që në fushën e teknologjisë informative është e shumë e avancuar.

Ambasadori Gashi e njoftoi homologun e tij edhe rreth punës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Dakar, që mbulon tërë kontinentin afrikan, dhe zyrtarisht shtatëmbëdhjetë vende, e që përfshihet edhe Bregu i Fildishtë.