Follow us on:

Senegali nderon Kosovën në 12-vjetorin e pavarësisë, i lumtur që është shteti më mik i saj në Afrikë

Dakar, 2 mars 2020 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Senegal, e vetmja përfaqësi diplomatike kosovare në kontinentin afrikan, ka organizuar pritje festive për dymbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë. Sipas praktikës senegaleze, kur raportet dypalëshe janë të mira, Qeveria venëse dërgon përfaqësues të rangut të ministrit, përndryshe në të tilla ceremoni dërgohen përfaqësues të rangut më të ultë.

Në këtë mbrëmje, delegacionit senegalez iu printe ministri për Punë, Dialog Social, Organizata Profesionale dhe Lidhjet me Institucionet, z. Samba Sy. Të pranishëm ishin edhe shumë ambasadorë të vendeve mike të akredituar në Dakar, e udhëheqës të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Pas ekzekutimit të dy himneve kombëtare, ambasadori i Republikës së Kosovës në Dakar, Ramadan Gashi, përshëndeti të pranishmit për pjesëmarrjen dhe falënderoi ministrin Sy për praninë e tij, duke vlerësuar lartë marrëdhëniet e mira që ruajnë Senegali dhe Kosova.

“Falënderooj popullin dhe institucionet e Senegalit për mbështetjen e vazhdueshme që i japin Kosovës. Senegali është vendi i parë afrikan që ka njohur Republikën e Kosovës, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, dhe vazhdon të mbështes vendin tonë në rrugën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”.

Gjatë fjalimit, z.Gashi u tregoi të pranishmëve që ishte me fat që më 1987, në Bruksel, kishte takuar presidentin e parë senegalez, z. Léopold Sédar Senghor, me të cilin kishte diskutuar për situatën në Kosovë, i cili u bë presidenti i parë afrikan që njohu përfaqësuesit e Kosovës, atë botë.

Ambasadori bëri edhe paralelizmin që ekziston në historinë e popullit të Kosovës dhe popujve të Afrikës, vuajtjet, skllavërinë, dhe kjo, siç tha ai, ishte arsyeja përse zgjodhi që ditën e dorëzimit të letrave kredenciale te presidenti Macky Sall, të vizitoj edhe shtëpinë ku dikur klasifikoheshin skllevërit.

Nga ana e tij, ministri Sy tha se Senegali është i nderuar që Republika e Kosovës ka ambasadën e saj të parë, dhe aktualisht të vetmen në kontinentin afrikanë. Ai kujtoi se Republika e Senegalit dhe Republika e Kosovës në vitin 2014 kanë nënshkruar marrëveshjen për vendosje të marrëdhënieve diplomatike dhe gjithashtu kanë nënshkruar marrëveshje për këshillime ndërmjet dy ministrive.

“Republika e Senegalit mbështetë pa kushte Republikën e Kosovës në rrugën e saj drejtë anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Dhe, më lejoni t’ua konfirmoj se në ato organizata ku Senegali është anëtar, Republika e Kosovës do të ketë mbështetje të plotë”, tha ministri Sy.

Ekspozita me fotografi nga koha e okupimit të Kosovës dhe luftës së fundit, është pa me habi nga vendasit, duke mos besuar se si ka mundur të ndodhë diçka e tillë në Evropë në fund të shekullit XX. Po ashtu, duhet theksuar se për këtë aktivitet, kishte interesim të madh të medieve vendore, në veçanti të televizionit shtetëror, pamjet e të cilave mund t’i shhni në videot në vijim.

https://www.youtube.com/watch?v=zPLoJ9i_fUU&t=9s