Follow us on:

Ambasadori Rexhepi vizitoi komunën e Postojnës

29.03.2017 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni, z.Nexhmi Rexhepi, i shoqëruar edhe nga këshilltari Gani Mulliqi, ka vizituar të mërkurën komunën e Postojnës. Ai me këtë rast është pritur nga prefekti i kësaj komune Igor Marentic, i cili e ka njoftuar ate me organizimin institucional, veprimtarinë e kësaj komune dhe me të gjitha rrjedhat që zhvillohen në këtë komunë.

Prefekti Marentic, i cili në zgjedhjet e fundit lokale kishte fituar si i pavarur kundrejt kandidatëve të subjekteve tjera politike, i tha ambasadorit Rexhepi se komuna e Postojnës viteve të fundit po shënon rezultate të kënaqshme në stabilizimin e rrjedhave ekonomike, në zhvillimin dhe avansimin e infrastrukturës së qytetit, kryesisht me përfitime që bëhen nga fondet e BE-së, por zhvillime të kënaqshme po shënohen edhe në veprimtari të tjera të kësaj komune. Trende të kënaqshme janë zhvilluar sidomos në uljen e përqindjes së papunësisë por edhe në rritjen e numrit të turistëve të huaj të cilët vizitoujnë  këtë komunë nga e gjithë bota. Postojna me bukuritë e veta që ia ka dhuruar natyra, sidomos me Shpellën e Postojnës që është e njohur në tërë botën, ka arritur të rikthej përsëri vëmendjen e turistëve të cilët me qindra mijëra prej tyre këthejnë brenda vitit në këtë komunë. 

Ambasadori Rexhepi e falenderoi zotin Marentic për mikpritjen dhe i  dëshiroi atij suksese edhe në të ardhmen në udhëheqjen e kësaj komune. Ai po ashtu u interesua për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit të kësaj komune me  ndonjërën nga komunat e Kosovës në fusha konkrete, për mënyrën e thithjes së investimeve të jashtme të institucioneve të kësaj komune, për aspekte të ndryshme të zhvillimit dhe të konsolidimit ekonomik etj.   Në fund të takimeve ambasadori Rexhepi e këshilltari Mulliqi, të shoqëruar gjatë tërë kohës nga këshilltarët komunalë Marjan Nagode dhe Xhevdet Hoxha, vizituan edhe disa nga pikat më atraktive turistike të kësaj komune  ku u njoftuan edhe me veprimtarinë që zhvillojnë ato.