Follow us on:

Në Celje të Slovenisë u mbajtë Forumi i III-të Ekonomik Slloveni - Kosovë

Celje, 04 Prill 2017 - Oda e Tregtisë dhe Industrisë në Slloveni dhe Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Slloveni dhe Klubin e Bizneseve sllovene në Prishtinë, organizuan Forumin e III-të Ekonomik në Celje të Sllovenisë.

Forumi u hap nga përfaqësuesit e dy Odave Ekonomike, Marjan Maçkovshek, Safet Gerxhaliu dhe Drejtoresha e Klubit të Bizneseve Sllovene, Sonja Rutar. I pranishëm ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj, i cili në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi shtetin slloven për përkrahjen e vazhdueshme që ka rreth bashkëpunimit ekonomik dhe njëherësh ftoi të gjitha bizneset sllovene për vazhdim të mëtutjeshëm dhe zgjerim të bashkëpunimeve.

Ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi, në fjalën e tij përshëndetëse, ndër të tjera tha se ky forum ekonomik është vlerësuar si një mundësi shumë e mirë për identifikimin e investitorëve potencialë slloven, si dhe ka promovuar mundësitë e investimeve dhe zgjerimin e mundësive të bashkëpunimit ekonomik në mes Kosovës dhe Sllovenisë. 

Në pjesën e parë të prezantimeve, Mirjeta Behluli, ministër këshilltare, njëherësh përgjegjëse për diplomaci ekonomike në Ambasadën e Kosovës në Slloveni, shpalosi të gjitha kushtet dhe reformat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në përmirësimin e të bërit biznes në Kosovë, marrëveshjet bilaterale ekonomike, si dhe për mjedisin e përgjithshëm për investime në Kosovë.

Forumi u përqendrua në sektorët e agrobiznesit, minierave, infrastrukturës, energjisë, teknologjisë informative dhe komunikimit, ndërtimtarisë, përpunimit të drurit, tekstilit dhe përpunimit të lëkurës, si dhe për turizëm.

Në kuadër të Forumit u organizuan edhe takime B2B në mes të përfaqësuesve të Ambasadës së Kosovës në Slloveni dhe kompanive të interesuara, si dhe takime B2B në mes të kompanive kosovare dhe atyre sllovene. Forumi, si ngjarje e profilit më të lartë të diplomacisë ekonomike i organizuar në Slloveni, pritet të ketë ndikim në forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Sllovenisë.

Pas përfundimit të takimeve, bizneset kosovare vizituan “Panairin Ndërkombëtar të Industrisë 2017”, që është hapur po atë ditë në Celje të Sllovenisë. Të gjithë pjesëmarrësit zhvilluan edhe një takim pune me ambasadorin Rexhepi dhe diplomatët në Ambasadën e Kosovës në Lubjanë, ku për së afërmi u diskutuan kushtet dhe vështirësitë që hasin këto biznese me shtetin slloven dhe anasjelltas.