Follow us on:

Ambasadori Rexhepi vizitoi komunen Zhalec, pritet nga prefekti i saj Janko Kos dhe takon mërgimtarët shqiptarë

Ljublanë, 26 tetor 2017 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi, i shoqëruar edhe nga këshilltari Gani Mulliqi, ka vizituar të enjten komunën Zhalec, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune Janko Kos. Ambasadori Rexhepi fillimisht ka vizituar shkollën fillore të kësaj komune në të cilën vijojnë mësimin e rregullt edhe rreth 60 nxënës të komunitetit shqiptar dhe aty është pritur nga drejtoresha e shkollës me bashkëpunëtorët. Ajo e njoftoi ambasadorin Rexhepi me aktivitetin e kësaj shkolle dhe për faktin se pjesë e saj janë edhe shumë nxënës të rregullt të komunitetit shqiptar të cilët vijojnë mësimin e rregullt në këtë shkollë ku janë integruar plotësisht së bashku me të gjithë nxënësit e nacionaliteteve të ndryshme që po ashtu janë të përfshirë në këtë institucion mësimor.

Ambasadori Rexhepi ishte pjesëmarrës në aktivitetin kulturor të kësaj shkolle që nxënësit dhe prindërit e tyre e organizojnë tradicionalisht duke prezantuar kulturën dhe traditën e sejcilit nacionalitet dhe përgëzoi udheheqësinë e shkollës për organizimin e shkëlqyeshëm të këtij manifestimi. Në ndërkohë ambasadori Rexhepi u shpërndau libra dhe literaturë tjetër në gjuhën shqipe nxënësve shqiptarë të kësaj shkolle dhe i përgëzoi ata që në numër kaq të madh vijojnë mësimet e rregullta së bashku me moshatarët e tyre sllovenë dhe të shumë nacionaliteteve të tjera. 


Ambasadori i porositi ata që ti përkushtohen mësimit të gjuhës sllovene por edhe të gjuhëve të tjera sepse vetëm në këtë mënyrë do të jenë në gjendje që të jenë të barabartë me të tjerët në mjedisin ku po rriten dhe ku kanë vendosur të jetojnë dhe po kështu të integrohen plotësisht në shoqërinë sllovene. Po ashtu ai i porositi ata që njëkohësisht të mos e lënë anash edhe gjuhën e tyre amtare sepse po nuk e mësuan dhe po nuk e njohën atë e kanë të vështirë të jenë të suksesshëm nesër në vijimin e ngritjes së tyre intelektuale e arsimore. Prej këtij viti nxënësit shqiptarë që jetojnë në këtë qytet dhe rrethinë do të vijojnë edhe mësimin plotësues në gjuhën shqipe përderisa numri i tyre nuk është i vogël.


Në vijim të aktivitetit gjatë vizitës në Zhalec, ambasadori Rexhepi dhe këshilltari Mulliqi u pritën nga kryetari i kësaj komune, Janko Kos i cili i njoftoi ata me rrjedhat e zhvillimit ekonomik e politik të kësaj komune. Sipas tij, kjo komunë, viteve të fundit ka arritur një përparim të hovshëm të zhvillimit dhe transformimit të saj në saje të përpjekjeve të biznesit të vet qytetarëve të këtushëm dhe ndihmës që u ka dhënë komuna, por edhe të realizimit të shumë projekteve infrastrukturore të realizuara me mjetet që janë siguruar nga fondet e BE-së. Kos po ashtu e njoftoi ambasadorin Rexhepi edhe për synimet e ardhshme zhvëllimore të komunës. 


Gjatë qëndrimit në Zhalec ambasadori Rexhepi vizitoi edhe Ekomuzeun e qytetit, një instititucion ky i formuar jo më shumë se para dhjetë vitesh që si i tillë ka tërhequr vëmëndjen e shumë vizitorëve nga bota e jashtme, e me të cilët komuna ka arritur të shtojë shumë fondet e buxhetit të saj të cilat i valorizon pastaj në zhvillimin e infrastrukturës së qytetit dhe rrethinës.  Kjo komunë ka bërë që Sllovenia të renditet si njëra nga pesë vendet e para me prodhimin e hmelit, një produkt ky bujqësor i cili në botë përdoret si tharmi për prodhimin e birrës, e me të cilin Sllovenia njihet si njëri nga eksportuesit më të mëdhenj të tij në botë. Pikërisht në ekomuzeun e këtij qyteti, që vizitohet nga shumë të huaj, është renditur dhe ruhet me kujdes e tërë historia qindravjeqare e kultivimit të kësaj kulture bujqësore, mjeteve të punës që nga ato më klasiket e tutje, të ruajtjes dhe të përpunimit të këtij produkti bujqësor, ndersa qytetarët e Zhalecit krenohen me këtë institucion që është pjesë e kulturës dhe e zhvillimit të tyre ekonomik e social.

 

Ambasadori Rexhepi e falenderoi z.Janko Kos për pritjen dhe programin e gjërë e përmbajtësor të vizitës kësaj komune, që kishte organizuar për këtë rast, dhe e përgëzoi ate për përkushtimin dhe punën që ai dhe bashkëpunëtorët e tij bëjnë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.    

 

Gjatë qëndrimit në Zhalec, ambasadori Rexhepi i shoqëruar edhe nga kryetari Janko Kos ka vizituar dhe ka takuar edhe disa nga pjesëtarët e komunitetit shqiptar që jetojnë në këtë komunë dhe që me bizneset e tyre që zhvillojnë këtu kanë arritur të fitojnë rrespektin e madh të qytetarëve sllovenë.  Ai i ka përgëzuar ata për fjalët e mira që jo vetëm udhëheqësit sllovenë të kësaj komune por edhe vet qytetarët kanë për ta dhe i ka inkurajuar ata që të punojnë edhe më tej me ndershmëri dhe të integrohen në shoqërinë e këtushme sllovene duke ruajtur njëkohësisht dhe duke transmetuar edhe tek fëmijët e tyre lidhjet e ngushta me vendlindjen dhe të afërmit e tyre atje.