Follow us on:

Ministri Hamza qëndroi në vizitë në Slloveni, u takua me homologen e tij Erman dhe me autoritete tjera sllovene

Lublane, 8 shkurt 2018 –Ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, së bashku me një delegacion nga ministria që udhëheqë, ka realizuar një vizitë punë në Slloveni.

Në kuadër të vizitës, ai është takuar me homologen e tij sllovene, Mateja Erman, drejtoreshën e Përgjithshme të Administratës Tatimore të Sllovenisë, Jana Ahcin dhe guvernatorin e Bankës Kombëtare të Sllovenisë, Boshtjan Jazbec. 


Në takimin me ministren Erman, ministri Hamza e ka njoftuar atë lidhur me ecjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë, stabilitetin makrofinanciar, ecurinë e reformave në administratën tatimore dhe dogana, si dhe lidhur me planifikimet e qeverisë për ndërmarrjen e veprimeve të nëvojshme për harmonizimin e mëtejmë të legjislacionit dhe të praktikave me ato të vendeve të BE-së. Ministri Hamza nënvizoi se si parim, legjislacioni në Kosovë gjithnjë është hartuar në konsultim me praktikat më të mira europiane, dhe parasëgjithash edhe me kërkesat themelore të legjislacionit primar të BE-së. Mirëpo, siç ndodhë rëndom, legjislacioni dhe praktikat evoluojnë, andaj edhe ministria e financave synon që në vijim, gjatë këtij viti, të bëj një rishikim të legjislacionit primar, me qëllim që të avancohet më tej puna e administratës tatimore, në veçanti rishikimi i sistemit aktual të mbledhjes së TVSH-së. Ai kërkoi mbështetjen sllovene përmes ekspertizës dhe përvojës së tyre në këtë drejtim.


Nga ana tjetër ministrja Erman, theksoi se ministria që ajo drejton është plotësisht e gatshme që të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme për implementimin e synimeve të Minisrisë së Financave të Kosovës. Ajo shtoi se janë të gatshëm të ndihmojnë qoftë sa i përkët hartimit apo rishikimit të legjislacionit përkatës, qoftë përmes ofrimit të trajnimeve të nevojshme për zyrtarët tatimorë apo doganorë, në mënyrë që ata të jenë plotësisht të përgatitur për fillimin e zbatimit të sistemit të ri të mbledhjes së TVSH-së. Duke folur për përvojën sllovene, ajo nënvizoi se modeli i mbledhjes së TVSH për importe brenda vendit është treguar shumë i suksesshëm, pavarësisht që në fillim pa patur shumë dilema, si dhe se janë vendosur mekanizma efektivë për evidentimin dhe parandalimin e keqpërdorimeve të ndryshme. Ministrja Erman, po ashtu theksoi se do të ishte me interes që marrëveshja bilaterale në fuqi për shmangien e tatimeve të dyfishta të rishikohej në frymen e standardeve dhe udhëzimeve të fundit të OECD-së, ngase kjo do të ishte me interes reciprok.


Ministrja Erman shtroi një drekë pune për ministrin dhe delegacionin, gjatë së cilës sërish rikonfirmoi gatishmërinë për mbështetje. Ajo tha se të gjitha kanalet për bashkëpunim do të jenë të hapura dhe se për secilën pyetje apo kërkesë mund të drejtohen lirshëm. Ajo gjithashtu shprehu gatishmëri për një vizitë në Kosovë.


Në administratën tatimore, ministri Hamza dhe delegacioni janë pritur nga drejtoresha e Përgjithshme, Jana Ahcin me bashkëpunëtorë. Ajo ka njoftuar ministrin dhe delegacionin me punën, praktikat dhe sfidat e administratës tatimore sllovene. Bashkëpunëtorët e saj kanë ofruar prezantime sektoriale lidhur me organizimin dhe punën praktike të tyre. Ahcin ka ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme për ministrinë tonë dhe administratën tatimore dhe doganat.


Ndërsa në takimin me guvernatorin Jazbec është folur për bashkëpunimin ndër-institucional dhe për raportet e mira miqësore. Jazbec si një mik i Kosovës, ka rikonfirmuar gatishmërinë e tij për të dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme për sektorin bankar dhe atë të financave publike.