Follow us on:

Ambasada e Kosovës në Slloveni shënoi dhjetëvjetorin e pavarësisë

Lublanë, 14 shkurt 2018 -Me njëkoncert klasik muzikor ku preformoi sopranoja kosovare, Flaka Goranci dhe me hapjen e një ekspozite të fotografive të autorëve nga Kosova të përzgjedhura ndër vite si më të suksesshmet,e përgatitur nënpërkujdesjen e piktorit Gani Llalloshi, Ambasada e Kosovës në Slloveni ka shënuar mbrëmë dhjetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në pritjen e organizuar merrnin pjesë qindra mysafirë të ftuar, zyrtarë të lartë të shtetit slloven ndër të cilët sekretari i shtetit në MPJ, Andrej Logar, europarlamentari dhe ish-kryeministri slloven, Lojze Petrle, deputetë të Kuvendit të Sllovenisë nga grupi i miqësisë me Kosovën, ambasadorë dhe anëtarë të akredituar të korit diplomatik në Slloveni dhe shumë kosovarë që jetojnë e punojnë në këtë vend. I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili me bashkëpunëtorë i cili po qëndron këtu në një vizitë bilaterale. 


Duke përshëndetur të pranishmit ambasadori, Nexhmi Rexhepi tha se ky dhjetëvjetor është rast i mirë për të bërë një vlerësim substancial të të arriturave të vendit tonë. Ai u përkujtoi të pranishmëve se shteti i Kosovës është i ndërtuar mbi sakrificat e shumta shekullore për liri dhe pavarësi të popullit tone. Por ne sonte duam të flasim më shumë për të sotmen, tha ambasadori Rexhepi, dhe u përkujtoi të pranishmëve se ne tash po ndërtojmë një Kosovë të re mbi këto sakrifica edhe njerëzore por edhe materiale. 


Një shtet i cili është shtëpi e të gjithë qytetarëve, i përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet ndaj vetvehtes, rajonit dhe më gjërë. Ai tha se ne e kemi bërë të qartë që jemi të gatshëm të falim, mirëpo jo të harrojmë. Fëmijët tanë duhet ta dijnë se me çfarë kemi kaluar ne. Është e domosdoshme të dihet për kohën tonë dhe për të ardhmen – kush ishte viktima dhe kush agresori. Populli i Kosovës do të mbetet gjithmonë falenderues ndaj të gjitha shteteve të cilat kanë bërë përpjekje bashkarisht ta ndalin këtë pastrim etnik dhe shkatërrim total të vendit tonë. 


Duke shtruar pyetjen se ku gjendet sot Republika e Kosovës, ambasadori Rexhepi tha se Republika e Kosovës tashmë e dhjetë vite është duke e konsoliduar demokracinë e brendshme dhe shtetbërjen e saj në arenën ndërkombëtare. Deri në këtë datë Republika e Kosovës njihet si shtet i pavarur dhe sovran nga 115 shtete nga mbarë globi. Kosova tashmë është anëtare e barabartë e shumë organizatave ndërkombëetare e rajonale, procesi i tranzicionit ekonomik është duke vazhduar me një ekonomi e cila po vuan të kosolidohet plotësisht por që po punon në thithjen sa më shumë të investimeve të jashtme. 


Ambasadori Rexhepi po ashtu tha se anëtarësimi i plotë i Kosovës në BE dhe NATO janë qëllimet kryesore të politikës sonë të jashtme si dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore. Për ne asnjë alternativë tjetër nuk ekziston. E ardhmja jonë euroatlantike është dëshira dhe vullneti i qytetarëve tanë. Kosova ka nënshkruar marrëveshjen për stabilizim dhe asociim me BE-në, gjë e cila shënon hapin e parë kontraktual në procesin e pakthyeshëm drejt integrimit në BE. Kosova beson se prezantimi i fundit i Strategjisë së BE-së për zgjërim do të reflekton mundësi të barabarta duke qartësuar  përspektivën e BE-së për ne, e po ashtu edhe për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në rastin tonë ne nuk e kemi parë ende qartësinë e cila pritet të shihet, dhe shpresojmë që gjuha e strategjisë të qartësohet edhe më shumë.  


Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-Slloveni, ambasadori Rexhepi përkujtoi se këto dy vende ndajnë histori të përbashkët të së kaluarës dhe çka është më e rëndësishme kanë qëllime të njejta për të ardhmën. Mbit ë gjitha këto dy vende i lidhë edhe një numër i madh i diasporës kosovare e cila jeton dhe vepron në Slloveni. Kosova i është përgjithmonë mirënjohëse Sllovenisë dhe popullit slloven për mbështetjen e vazhdueshme përgjatë të gjitha proceseve në të cilat ka kaluar Kosova, tha ambasadori Rexhepi.


Manifestimin e mbrëmshëm e përshëndeti me një fjalë rasti edhe  Andrej Logar, Sekretar i Shtetit në MPJ të Sllovenisë i cili duke uruar për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës tha se vendi i tij do vazhdoj të kultivoj marrëdhëniet e shkëlqyera të miqësisë ndërmjet dy vendeve të cilat datojnë që heret. Ai tha se Kosova dhe Sllovenia kanë interesa t njejta për paqe, fqinjësi të mirë dhe zhvillim në rajon dhe siguroi se vendi i tij do jetë gjithmonë përkrahës i Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe në BE. 


Ai po ashtu nënvizoi se Kosova duhet të vazhdoi punën në zbatimin e reformave të brendshme, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të detyrimeve ndërkombëtare.