Follow us on:

Ministri Besim Beqaj ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Sllovenisë

Lubjanë, 11 dhjetor 2018 – Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë i Kosovës, Besim Beqaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Slloveni.

Ministri Beqaj dhe delegacioni mbështetës, të shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, dhe ministrja këshilltare, Mirjeta Behluli, kanë zhvilluar takime me drejtues të lartë institucionalë, me përfaqësues të bizneseve dhe drejtuesit e Odës së Tregtisë në Lubjanë.

 

Ministri Besim Beqaj është pritur nga Ministri i Administratës Publike të Sllovenisë, Rudi Medved.

 

Gjatë takimit, është  biseduar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e inovacionit dhe digjitalizimit, duke përfshirë projektet konkrete, në digjitalizimin e administratës shtetërore dhe ekonomisë, ngritjen e kapaciteteve njerëzore, qasjen e përbashkët në tregjet e treta dhe asistencë profesionale teknike në përfitimin nga programet e financimit të BE-së.

 

U bisedua po ashtu për bashkëpunimin ndërmjet ekspertëve të dy vendeve në përgatitjen e Strategjisë së Inovacionit në Kosovë dhe Ligjin e Inovacionit.

 

Delegacioni kosovar është takuar edhe me znj. Jozka Hegler, Drejtoreshë Gjenerale e Parkut Teknologjik të Lubjanës.

 

Qëllimi i takimit ishte ndërtimi i urave të bashkëpunimit me një nga ekosistemet më të zhvilluara në Evropë, të bazuara në komercializim të dijes dhe avancimeve teknologjike dhe bartjen e ekspertizës sllovene në Kosovë.

 

Gjatë vizitës zyrtare, ministri Beqaj ka zhvilluar takime edhe me përfaqësuesit e Odës së Tregtisë dhe të Industrisë së Sllovenisë me Drejtorin Ekzekutiv, Samo Hribar dhe bashkëpunëtorët e tij që mbulojnë fushën e Inovacionit.

 

Në fokus të takimit ishte rritja dhe forcimi i lidhjeve ekonomike në mes të ekonomive sllovene dhe kosovare, bashkëpunimi në ndërtimin e kapaciteteve të prodhuesve kosovar për të qenë partnerë dhe konkurrues në tregjet ndërkombëtare përmes qasjes së përbashkët në hulumtim, ndërmarrësi inovative, ndërkombëtarizim të ekonomisë, trajnime dhe edukim.