Follow us on:

Ambasadori Kastrati vizitoi shoqatat shqiptare dhe bashkatdhetarët në Maribor dhe Velenje

Maribor - Velenje, 15 dhjetor 2018 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, ka vizituar shoqatat kulturore shqiptare në Maribor dhe Velenje, si dhe ka takuar bashkatdhetarët dhe veprimtarët nga Kosova që jetojnë në këto qytete të Sllovenisë.

Ambasadori Kastrati, i shoqëruar nga Konsulli Petrit Hajdari dhe Sekretari i Parë, Drilon Zogaj, fillimisht ka vizituar kryesinë e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Lirija” në Velenje, ku ka biseduar me kryetarin Robertson Gjergji dhe anëtarët tjerë për aktivitetet, projektet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet shoqata por edhe bashkatdhetarët tanë individualisht. 


Ambasadori Kastrati, me këtë rast, ka theksuar përkushtimin e plotë të Ambasadës dhe të institucioneve të Kosovës për të përkrahur në të gjitha drejtimet shoqatën dhe bashkatdhetarët tanë në Velenje dhe më gjerë. 


Në këtë kontekst, Ambasadori Kastrati ofroi mbështetje në disa aspekte konkrete që lidhen me dinamizimin e veprimtarive kulturore, arsimore si dhe për adresimin e përbashkët të çështjeve që lidhen me jetën e përditshme të bashkatdhetarëve tanë në Velenje. 


Gjatë vizitës në Maribor, Ambasadori Avni Kastrati është pritur nga drejtuesit e Shoqatës Kulturore “Bashkimi” dhe veprimtarë të tjerë të dalluar në këtë rajon.


Pasi u njoftua nga kryetari Vesel Krasniqi dhe anëtarët tjerë për aktivitetet dhe preokupimet e tyre, Ambasadori Kastrati shprehu vullnetin e plotë të Ambasadës së Kosovës për të ofruar mbështetje konkrete në adresimin e sfidave dhe dinamizmin e rolit të Shoqatës “Bashkimi”, e cila vepron për një kohë të gjatë dhe ka reputacion të madh në mesin e bashkatdhetarëve në Maribor dhe më gjerë.