Follow us on:

Ministri i Ekonomisë Shala dhe anëtari i Kryesisë së Kuvendit Petrovic mbajtën një ligjëratë në Johns Hopkins University

01 shkurt 2011. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, z. Ahmet Shala, dhe anëtari i Kryesisë së Kuvendit, z. Slobodan Petrovic, mbajtën një ligjëratë sot me temë "Kosova: rruga për Evropë" në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare të Johns Hopkins University.

Në fjalimin e tij, ministri i Ekonomisë dhe Financave, z. Ahmet Shala, theksoi prioritetet kryesore të qeverisë prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 si infrastruktura, arsimi dhe njohja diplomatike e vendit. Ministri tha se gjatë këtij viti qeveria do të fokusohet në mirëqenien sociale si mjet drejt rritjes ekonomike. Ai deklaroi se "ndërtimi i një shtetit të ri është një mundësi e rrallë dhe për të pasur sukses kërkohet lidership, vendosmëri dhe punë të madhe."

Ministri Shala tha se populli i Kosovës dëshiron të shkojë përpara, të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, dhe të krijojë një ekonomi të fuqishme dhe dinamike. Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të ulë tensionet politike, që fatkeqësisht ende ekzistojnë, dhe do të ndihmonte në integrimin e mëtutjeshëm të rajonit, tha ai.

Z. Slobodan Petrovic, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, u fokusua në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë. Ai theksoi se pjesëmarrja e komunitetit serb në këto zgjedhje ka qenë shumë e lartë dhe ky është një hap mjaft inkurajues.

Ligjërata u moderua nga z. Daniel Serwer nga Qendra për Marrëdhënie Transatlantike.