Follow us on:

Ambasadori Spahiu mbajti një fjalim në Universitetin Columbia në Nju Jork

15 shkurt 2011. Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu, ka mbajtur sot një fjalim në Universitetin e njohur Columbia në Nju Jork, me temën: “Tregimi i suksesit i Kosovës: nga konflikti në pavarësi.” Ligjërata u organizua nga Qendra për Zgjidhjen e Konflikteve Ndërkombëtare (CICR) dhe Instituti Harriman i Universitetit Columbia.

Ambasadori Spahiu u fokusua në procesin e zhvillimit të pas-luftës si dhe në progresin e përgjithshëm prej shpalljes së pavarësisë. Në fjalimin e tij, ambasadori nënvizoi arritjet e kryesore të vendit në fushën e zhvillimit politik dhe ekonomik, mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe ripajtimin.

Ambasadori Spahiu tha se deri më tani 75 shtete të botës e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Njohjet më të fundit kanë ardhur nga Shteti i Katarit, Guinea Bisau dhe Sulltanati i Omanit. Ai gjithashtu theksoi se pavarësia e Kosovës ka kontribuar në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë fund dy dekadave të dhunës dhe shkatërrimit.

Ambasadori gjithashtu foli edhe për bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit Evropian dhe Euro-Atlantik. Ai theksoi se “procesi i integrimit në BE dhe NATO paraqet një prej objektivave kryesore të politikës së jashtme të Kosovës.”

Ligjërata u moderua nga z. Gordon Bardos, ndihmësdrejtor i Institutit Harriman në Columbia.