Follow us on:

Ceremonia e përvjetorit të tretë të pavarësisë së Kosovës u mbajt në Times Square në Nju Jork

17 shkurt 2011. Presidenti i Manhattan-it, Scott M. Stinger, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, zyrtarë të zgjedhur të qytetit të Nju Jorkut, diplomatë dhe liderët të komunitetit festuan përvjetorin e tretë të deklaratës së pavarësisë së Kosovës në sheshin e njohur të Times Square-it në Nju Jork.

“Këtë mëngjes ne po nderojmë më shumë se një përvjetor të rëndësishëm kombëtar – ne po shënojmë një moment historik në betejën për lirinë njerëzore dhe përshëndesim njerëzit që e bënë këtë të mundur, këtu në Nju Jork dhe anembanë botës,” tha presidenti Stringer në fillim të ceremonisë. “Sot, Kosova është shtet dhe mbetet një aleat i përkrahur i Shteteve të Bashkuara, vend ky i përcaktuar ndaj diversitetit etnik, pluralizmit fetar dhe lirisë për të gjithë.”

Në fjalimin e saj, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, shprehi falënderimet e sinqerta për popullin e Shteteve të Bashkuara për rolin në krijimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu, falënderoi organizatorët për ceremoninë. Ai tha se Kosova ka marrëdhënie të thella me Shtetet e Bashkuara dhe të dy vendet janë të lidhura nga një miqësi e përjetshme.

Në përfundim të ceremonisë – që u bashkëorganizua nga presidenti i Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, Esad Rizaj, botuesi i Gazetës Illyria, Vehbi Bajrami, dhe ish-anëtari i Asamblesë, Stephen B. Kaufman – një stendë e sheshit u ndriçua për të përshëndetur ceremoninë.