Follow us on:

Ambasada në Uashington festoi trevjetorin e pavarësisë së Kosovës

18 shkurt 2011. Ambasada e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara ka organizuar një pritje në University Club në Uashington për të festuar trevjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në pritje ishin të pranishëm më shumë se 200 mysafirë, përfshirë përfaqësues të qeverisë amerikane, Kongresit, organizatave ndërkombëtare, diplomatë të huaj të akredituar në Uashington, anëtarë të komunitetit dhe të tjerë.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashigton, Avni Spahiu, tha se Dita e Pavarësisë është një rast i duhur për të shikuar mbi arritjet e vendit në tri vitet e fundit. Kosova ka bërë një progres të rëndësishëm në zhvillimi politik dhe ekonomik. Deri më tani 75 vende të botës e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ambasadori Spahiu tha se në qershor të vitit të kaluar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë mendimin këshillues dhe ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat “se deklarata e pavarësisë së Kosovës ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.”

Ambasadori Spahiu gjithashtu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën. “Qeveria dhe populli i Kosovës e vlerësojnë lartë zotimin e vazhdueshëm të administratës amerikane për të përkrahur Kosovën në përpjekjet tona për të ndërtuar një vend demokratik për të gjithë,” tha ambasadori Spahiu.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Vlora Çitaku, uroi të pranishmit në përvjetorin e tretë të pavarësisë së Kosovës. Ajo përmendi arritjet dhe progresin e madh të vendit 11 vitet e fundit. Kosova është e përcaktuar të bëhet një anëtar kontribues dhe i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar. Ministrja në detyrë Çitaku falënderoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara për përkrahjen e vazhdueshme të Kosovës dhe shprehi përcaktimin e qeverisë së Kosovës në forcimin e institucioneve demokratike të vendit.

Duke iu drejtuar të pranishmëve me një fjalë rasti, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Thomas Countryman, tha se “Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë krenare për rolin që kanë luajtur, jo vetëm në momentin e pavarësisë së Kosovës, por edhe për mbështetjen që kemi mundur të japim gjatë tri viteve të fundit.”

Z. Countryman gjithashtu lexoi deklaratat e presidentit Obama dhe sekretares Clinton për popullin e Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë më 17 shkurt. Presidenti tha se “kjo është koha për të reflektuar për betejën e gjatë të Kosovës për pavarësinë dhe për të hedhur vështrimin drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për të gjithë qytetarët e Kosovës.” Dhe se “kam besim se miqësia mes vendeve tona do të vazhdojë të rritet edhe në vitet e ardhshme.” Në letrën e saj, sekretarja Clinton tha se “gjatë vizitës time të fundit në tetor kam qenë e impresionuar me premtimin e një vendi aq të ri. Rinia energjike dhe e angazhuar që përfaqëson të ardhmen e Kosovës po punon me shoqërinë civile për të ndërtuar institucionet demokratike, për të zgjeruar mundësitë ekonomike dhe inkurajuar vendosjen e shtetit ligjor. Sot është rasti, që udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës të ritheksojnë angazhimin e tyre për qeverisje të mirë dhe transparencë, të dyja thelbësore për të realizuar angazhimin Euro-Atlantik. Kjo është e nevojshme për stabilitetin dhe begatinë e Kosovës.”

Në fjalimin e tij, kongresisti Eliot Engel, anëtar i Nënkomitetit për Evropë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, uroi mysafirët në përvjetorin e tretë të deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Kongresisti Engel tha se “ka pasur nderin t’i dërgojë një letër presidentit Obama, së bashku me më shumë se 20 anëtarë të Kongresit nga të dy paritë, duke uruar popullin e Kosovës për pavarësinë.” Kongresisti Engel uroj që marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës të vazhdojnë. “Populli i Shteteve të Bashkuara do të jetë gjithmonë përkrah jush,” tha në fund të fjalimit të tij kongresisti amerikan Eliot Engel.