Follow us on:

Konsullata e Përgjithshme në Nju Jork kremtoi tre vjetorin e pavarësisë së Kosovës

23 shkurt 2011. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork kremtoi tre vjetorin e pavarësisë së Kosovës me një pritje në Hilton Double Tree në Nju Jork. Në pritje morën pjesë më shumë se 150 mysafirë, përfshirë përfaqësues të qeverisë amerikane, Kongresit, diplomatë të huaj të akredituar në Nju Jork, përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarë të komunitetit.

Duke folur para të pranishmëve, znj. Arta Rama, konsulle e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, tha se "në tre vitet e ekzistencës si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka shënuar një përparim thelbësor si në dimensionin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Në aspektin e brendshëm, Kosova ka themeluar dhe fuqizuar institucionet e shtetit, përderisa në aspektin e jashtëm ka forcuar personalitetin ndërkombëtar juridik" dhe "është njohur nga 75 vende të botës."

Konsullja e përgjithshme Rama tha gjithashtu se Kosova vlerëson në mënyrë të veçantë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ndarë principe dhe vlera të njëjta demokratike. "Kosova dhe Shtetet e Bashkuara janë të lidhura nga një miqësi e përhershme dhe populli i Kosovës nuk do ta harrojë asnjëherë mbështetjen e madhe që ka marrë dhe vazhdon të marrë nga ky vend i madh demokratik," tha ajo.

Duke iu drejtuar mysafirëve, kongresisti Eliot Engel uroi popullin e Kosovës në tre vjetorin e deklaratës së pavarësisë. Ai tha se Kosova ka arritur një përparim të jashtëzakonshëm prej shpalljes së pavarësisë. Kongresisti Engel tha se marrëdhëniet ndërmjet Amerikës dhe Kosovës janë të forta, dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në të gjitha fazat e zhvillimit.