Follow us on:

Ambasadori Spahiu mbajti ligjëratë para studentëve të Shërbimit të Jashtëm të Departamentit të Shtetit

23 shkurt 2011. Ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, mbajti një ligjëratë me temën “Kosova: Forumi i Ambasadorëve,” në Institutin për Shërbimin e Jashtëm të Departamentit të Shtetit. Ligjërata u organizua për studentët e Studimeve të Avancuara të Evropës Jugore dhe Qendrore, të cilët karrierën e tyre diplomatike do ta vazhdojnë në rajon.

Në prezantimin e tij, ambasadori Spahiu në mënyrë të veçantë u ndal në zhvillimet ekonomike, kulturore, të sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe bashkëpunimit ndëretnik në Kosovë gjatë këtyre tri viteve të shtetësisë së Kosovës. 

Pas përfundimit të ekspozesë së tij, ambasadori Spahiu iu përgjigj një numri të madh të pyetjeve të të pranishmëve. Për të dëshmuar interesimin e jashtëzakonshëm të zyrtarëve të pranishëm mbi çështjet e diskutuara, vlen të përmendet së pjesa e prezantimit me pyetje dhe përgjigje zgjati më se një orë.  Moderator i kësaj ligjërate ishte z. Janusz Bugajski, drejtor i Departamentit të Evropës Jugore dhe Qendrore, të Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike (CSIS)