Follow us on:

Zëvendëskryeministrja Tahiri dhe ministri i Punëve të Jashtme Hoxhaj mbajtën një ligjëratë në Universitetin Johns Hopkins në Uashington

04 mars 2011. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj mbajtën sot një ligjëratë me temën “Kosova pas zgjedhjeve: sfidat para saj,” në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit të njohur Johns Hopkins në Uashington.

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahiri, foli për progresin e Kosovës në vitet e fundit. Ajo tha se prej vitit 2008 Kosova ka një jetë të re dhe tani vendi po përpiqet të ndjekë modelet më të mira të shteteve demokratike. Zëvendëskryeministrja tha se qeveria po punon shumë me politikat e saja të veprimit afirmativ, me garancitë për të gjitha komunitetet etnike. Ajo gjithashtu paraqiti prioritetet kryesore të qeverisë së re: zhvillimin ekonomik, përfshirë papunësinë; sundimin e ligjit; mirëqenien sociale; avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës dhe rritjen e numrit të njohjeve ndërkombëtare.

Në fjalimin e tij, ministri i Punëve të Jashtme, z. Enver Hoxhaj tha se deri më tani 75 vende të ndryshme të botës e kanë njohur Kosovën. Vitin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë mendimin këshillues për Kosovën, ku deklarata e pavarësisë ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm Hoxhaj gjithashtu foli edhe për strategjinë e liberalizimit të vizave. Ai tha se qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar shumë për të marrë udhëzuesin për liberalizimin e vizave me BE-në këtë vit.