Follow us on:

Shteti i Ajovës shpall partneritetin me Kosovën

Governatori i Shtetit të Ajovës (Iowa) Terry Branstad, shpalli, para Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Uashington, Avni Spahiu dhe të Ndihmës Agjutant Gjeneralit të Gardës Kombëtare të Ajovës, Brigadier Gjeneralit Greg Schwab, krijimin e partneritetit në mes të Shtetit të Ajovës dhe Republikës së Kosovës.

Ceremonia e shpalljes u mbajt në ndërtesën e Kapitolit, në kryeqytetin e Ajovës, Des Moines. Ceremonia e shpalljes së partneritetit u organizua pas pritjes që Governatori organizoj për Ambasadorin e Kosovës ku në prezencë të mediave Governatori Branstad shpalli partneritetin me Kosovën. Në fjalimin e tij ai tha: “Kam kënaqësin që të shpalli themelimin e Programit për Partneritet Shtetëror me Republikën e Kosovës, mike e madhe e Amerikës dhe vend me të cilin ushtarët tanë tashmë janë të afërt duke shërbyer si pjesë e forcave të NATO-s në Kosovë. Programi i Partneritetit Shtetëror është program jetëgjatë dhe shumë i rëndësishëm, nga i cili do të përfitojnë si Garda Kombëtare e Ajovës ashtu edhe Forca e Sigurisë e Kosovës. Governatori poashtu shtoj se Programi i Partneritetit Shtetëror pos që paraqet një marrëdhënie në mes të Gardës Kombëtare dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, është edhe mënyrë për të krijuar miqësi të përhershme. “Me zhvillimin e këtyre marrëdhënieve programi do të përfshijë një sërë cështjesh me të cilat ballafaqohet Kosova si vend i ri dhe në zhvillim. Ky program i Partneritetit Shtetëror do të jetë në dobi të shtetit të Ajovës dhe Republikës së Kosovës”, tha Governatori Branstad.

Ambasadori Spahiu, në fjalën e tij para mediave tha se ky është një moment i lumtur si për mua ashtu edhe për vendin tim. “Ndjehemi të nderuar dhe të privilegjuar që vendi ynë u bë pjesë e Programit për Partneritet Shtetëror të Gardës Kombëtare me shtetin e Ajovës”. Ambasadori Spahiu falënderoj Governatorin, Shtetin dhe popullin e Ajovës për përfshirjen e Kosovës në këtë program të rëndësishëm. Ai në vecanti iu falënderua ushtarëve të Gardës Kombëtare të Ajovës, të cilët kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në Kosovë. Ndër të tjera, para mediave, Ambasadori Spahiu theksoj se ne fuqimisht besojmë se pa prezencën e SHBA-së në rajon nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet afatgjatë. “Përmes Programit të Partneritetit ne po i japim kuptim të ri partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Pos bashkëpunimit të forcave të sigurisë, programi ofron mundësi për bashkëpunim të ri edhe në sektor të tjerë po aq të rëndësishëm për Kosovën” tha Ambasadori Spahiu. Brigadier Gjeneral Schwab me këtë rast tha se Garda Kombëtare e Ajovës është e lumtur për këtë partneritet dhe ata tashmë, përmes ushtarëve të tyre, e njohin shumë mirë Kosovën, dhe besojnë se ky partneritet do të thelloj edhe më tutje marrëdhëniet në mes të dy shteteve. “Eshtë nder për ne t’ju kemi juve partner, dhe jemi me fat që Kosova është tashmë partner i ynë në këtë program, pasiqë besojmë se kemi shumë cfarë të ndihmojmë njëri tjetrin, dhe mezi po presim që ta thellojmë këtë bashkëpunim”, tha Schwab. Partneriteti është rezultat i përzgjedhjes së shtetit të Ajovës nga ana e Departamentit të Shtetit Amerikan, Departamentit Amerikan të Mbrojtjes dhe Zyrës së Gardës Kombëtare për pjesëmarrje në Programin për Siguri dhe Bashkëpunim dhe Partneritet Shtetëror (SPPs). Qëllimet e programit janë lidhja e shteteve dhe territoreve të Gardës Kombëtare me vende partnere për të ndihmuar në arritjen e intereseve të përbashkëta dhe për të krijuar marrëdhënie të afërta dhe afatgjata përgjatë të gjitha niveleve të shoqërisë. Para se të bëhet shpallja e këtij bashkëpunimi, Garda Kombëtare e Ajovës kishte organizuar një program të ngjeshur për Ambasadorin Spahiu, me qëllim që ta njoftoj përsëafërmi me punën dhe aktivitetet e Gardës. Në paraditen e 17 marsit, Majori Kipp Lenth prezantoj para Ambasadorit misionin dhe procedurat standarde të operimit në situata emergjente të Qendrës së Përbashkët Operative të Gardës Kombëtare. Më pas, Koloneli Albrecht paraqiti një histori të shkurtër të Gardës Kombëtare të Ajovës dhe cfarë ajo paraqet sot. Më pas, rektori i Universiteti i Shtetit të Ajovës, Dr. David Acker, në prezantimin e tij para Ambasadorit foli për ekspertizën e këtij universiteti në sektorin e bujqësisë dhe shkencave të ekzistencës. Dr. Acker ishte shumë i interesuar që pos thellimit të bashkëpunimit në mes të forcave të sigurisë së dy shteteve, ky partneritet të reflektohet edhe në shkëmbimin e studentëve dhe eksperiencave në bujqësi.

Prezantim tjetër që Garda Kombëtare kishte organizuar me rastin e vizitës së Ambasadorit Spahiu ishte edhe puna e Divizionit për Siguri Kombëtare dhe Menagjimin e Emergjencave të Ajovës, prezantuar nga Joyce Flinn, Shefe e Operacioneve Emergjente pranë këtij divizioni. Ambasadori Spahiu po ashtu u takua edhe me përfaqësueset e organizatës “Shtetet Simotra të Ajovës”, Drejtoreshen Ekzekutive Carol Grant dhe me zëvendësdrejtoreshen Kim Heidemann. Ato i treguan Ambasadorit mundësit që Kosova të futet edhe në këtë program, nga i cili shoqëria e të dyja shteteve do të shkëmbenin përvojat e tyre në lëmi të ndryshme. Ambasadori Spahiu a takua edhe me përfaqësuesit e Ajova Universitetit, me z. Joe Artz dhe znj.Shirley Sherma. Ata folën për marrëveshjen e iniciuar për t’u nënshkruar në mes të këtij Universiteti dhe Univeristetit të Prishtinës, për vazhdimin e bashkëpunimit në gërmimet arkeologjike, në krijimin e degës së Antropologjisë Fizike si dhe në shkëmbimin e studentëve. Pas këtij takimi, Ambasadori Spahiu, gjithnjë i shoqëruar nga Brigadier Gjenerali Schwab, vizitoj Qendrën Emergjente të Qarkut Polk dhe u mirëprit nga drejtori z. AJ Mumm. Në fund të vizitës, në mbrëmje, Garda Kombëtare e Ajovës, shtroj darkë për nder të Ambasadorit Spahiu dhe të themelimit të partneritetit me shtetin e Kosovës. Gjatë vizitës në shtetin e Ajovës, Ambasadori Spahiu ishte i shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Këshilltari për Politikë të Jashtme të Shefit të Zyrës së Gardës Kombëtare, z. Michael J. Fitzpatrick. dhe nga Sekretarja e Parë Gjeneza Budima.