Follow us on:

Ambasadori Spahiu vizitoi Porto Rikon

Prej 25-28 gusht, ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, qëndroi për një vizitë pune në Porto Riko me ftesë të Sistemit Universitar Ana G. Mendez. Vizita kishte për qëllim prezantimin e shtetit të ri të Kosovës para personelit akademik dhe studentëve të tri universiteteve të sistemit universitar, në një takim të rastit në Universidad del Este.

Me këtë rast ambasadori Spahiu u prit nga rektori i Universitetit, Dr. Alberto Maldonado Ruiz, si dhe nga udhëheqës të tjerë të Universitetit.  


Prezantimi i ambasadorit Spahiu me titull “Lindja e Republikës së Kosovës” u prit me interesim nga rreth pesëdhjetë pjesëmarrës. Ambasadori Spahiu foli për rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë,  për të arriturat dhe sfidat  që  nga shpallja e pavarësisë, si dhe për zhvillimet e fundit në vend . Pjesëmarrësit patën rast të ndiqnin edhe reklamën promovuese “Kosova: Evropianët e rinj.” Prezantimi u pasua me pyetje të shumta dhe gjithëpërfshirëse për të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës si dhe për pozitën e saj ndërkombëtare.

Vizita e ambasadorit u përcoll me interesim edhe nga mediat lokale, ku ai pati një intervistë të drejtpërdrejtë me televizionin universitar Paliqueduendo. Udhëheqës të Universitetit shprehën interesim për bashkëpunim në fushën akademike  përmes krijimit të mundësive për studentët kosovarë për t’i ndjekur studimet në këtë universitet. Në emër të universitetit, Dr. Sanabria Rodriguez ofroi një bursë për studime themelore për një studentë nga Kosova.

Për nder të ambasadorit Spahiu, profesorë dhe studentë të Universidad del Este, kishin organizuar një pritje të përzemërt. Simbolet e shtetit të Kosovës ishin vënë gjithandej universitetit, shoqëruar nga pano me mbishkrime mirëseardhjeje në gjuhën shqipe. Studentët e degës së kuzhinjerisë pranë këtij universiteti  kishin gatuar ëmbëlsira sipas recetave kosovare.  


Iniciuesi i kësaj vizite, z. Monroig, shtroi një darkë solemne për nder të ambasadorit Spahiu, ku ishin ftuar udhëheqës të universitetit dhe personalitete të tjera të rëndësishme politike të Porto Rikos.

Gjatë vizitës në San Huan, ambasadori Spahiu u prit në një takim rasti edhe nga sekretari i Shtetit të Porto Rikos, z. Kenneth D. McClintock. Në këtë takim ambasadori Spahiu ndër të tjera iu falënderua sekretarit McClintock për ndihmën që Garda Kombëtare e Porto Rikos i ka ofruar Kosovës, si dhe kërkoi bashkëpunim të mëtejmë në fusha të ndryshme të interesit të ndërsjellë.  Sekretari McClintock i premtoi Ambasadorit Spahiu se Porto Riko do të mbetet përkrahës i Kosovës në Ishujt Karaibe. Pjesë e delegacionit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në SHBA ishte edhe sekretarja e parë Gjeneza Budima.