Follow us on:

Ambasadori Spahiu mori pjesë në ceremoninë e betimit të Maureen Shauket, drejtoreshës së Misionit të USAID-it në Kosovë

5 dhjetor 2011, Uashington. Ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, mori pjesë në ceremoninë e betimit të Mareen Shauket, drejtoreshës së re të Misionit për Kosovë të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Administratori i USAID-it dr. Rajiv Shah, administroi betimin gjatë ceremonisë.

Ambasadori Spahiu iu drejtua të pranishmëve duke thënë se “USAID-i ka qenë partner me Qeverinë e Kosovës, agjencitë relevante, dhe shoqërinë civile për të rindërtuar ekonominë dhe infrastrukturën dhe të ndihmojë popullin e Kosovës në krijimin e qeverisjes së re, institucioneve ligjore dhe financiar të nevojshme për një shoqëri funksionale demokratike.” Ambasadori Spahiu shprehi besimin e tij se nën udhëheqjen e znj. Shauket, USAID-i në Kosovë do të vazhdojë të jetë një partner në ndërtimin e demokracisë dhe të ndihmojë zhvillimin e potencialeve ekonomike të vendit.

Gjatë fjalimit të saj në ceremoni, znj. Shauket tha, “jam e lumtur që më është dhënë mundësia të kthehem në Byronë për Evropë dhe Euroazi. Është një kohë e sfidave dhe mundësive të mëdha në Kosovë dhe jam e nderuar të kontribuojë në punën e shkëlqyer që USAID-i është duke bërë për të avancuar progresin zhvillimor të vendit. Pres të punoj me tërë ekipin e Qeverisë amerikane për të mundësuar ndikimin tonë zhvillimor në Kosovë.”

Objektivat kryesore të ndihmës së USAID-it përfshijnë: sundimin e ligjit, ndërtimin e kapaciteteve të qeverisë, përgatitjen e sektorit të energjisë për privatizim, përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin e ndërmarrjeve private dhe promovimin e ripajtimit dhe të drejtave të pakicave. Sekretarja e pare Gjeneza Budima mori pjesë gjithashtu në këtë ceremoni.


[Photo Credit: Patricia Adams/USAID]