Follow us on:

Presidentja Jahjaga dhe sekretarja Clinton nënshkruan marrëveshjen Kosovë-SHBA për mbrojtjen dhe ruajtjen e pronave kulturore

14 dhjetor, Uashington. Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga dhe sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton, nënshkruan në Departamentin e Shtetit marrëveshjen ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen dhe ruajtjen e pronave të posaçme kulturore.

Presidentja Jahjaga deklaroi se “marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është edhe një testament për përkushtimin tonë ndaj tolerancës kulturore dhe multikulturalizmit dhe përqafimit të diversitetit     të pjesëtarëve të shoqërisë tonë, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo racore. Vlerat dhe idealet amerikane janë inspirim për ne, dhe më dëshirë mirëpresim zbatimin e përbashkët të kësaj marrëveshje për të ruajtur edhe më tej trashëgiminë tonë kulturore.”

Presidentja tha se “Shtetet e Bashkuara janë përkrahësi dhe aleati më i fuqishëm i Kosovës. Zonja sekretare, ju dhe populli amerikan gjithmonë keni qëndruar afër nesh në periudhat më të vështira për ne – në arritjen e lirisë dhe tani në procesin tonë të shtet-ndërtimit.”

Sekretarja Clinton tha se marrëveshja “përkushton qeveritë tona për mbrojtjen dhe ruajtjen, pa diskriminim, të trashëgimisë kulturore të grupeve kombëtare, fetare e etnike që ishin viktima të gjenocidit gjatë Luftës së Dytë Botërore.”

Sekretarja Clinton “shprehi në emër të Shteteve të Bashkuara mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Presidenti Obama dhe unë jemi të përkushtuar që të sigurojmë se e ardhmja që Kosova po mundohet të krijojë është jashtëzakonisht e rëndësishme së pari për popullin e Kosovës por poashtu edhe për tërë rajonin.”