Follow us on:

SHBA do të vazhdojnë të përkrahin zhvillimin e FSK-së

Uashington-SHBA, 13 gusht 2012 - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Agim Çeku është siguruar nga zyrtarët më të lartë të Administratës Amerikane se SHBA-të janë të përkushtuara në zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.

Në ditën e parë të vizitës në SHBA, Ministri Agim Çeku dhe Komandanti i FSK-së Kadri Kastrati të shoqëruar nga ambasadori Akan Ismaili dhe Atasheu i Forcës së Sigurisë, Gjeneral brigade Xhavit Gashi u pritën në takime me zyrtarë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes, Departamentit të Shtetit si dhe të Shtëpisë së Bardhë.

Sot, delegacioni i prirë nga Ministri Agim Çeku pati takime të ndara në Pentagon me zëvendës-nënsekretaren e parë të Mbrojtjes për Politika, Dr. Kathleen Hicks, Gjeneralin Craig R. McKinley, Shefen e Zyrës së Gardës Kombëtare Amerikane, RDML Mark Mongomery, udhëheqës i zyrës për Evropë Perëndimore dhe Ballkan si dhe zëvendës-ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes për Partneritet Strategjik dhe Operacione stabiliteti, z. James Schear.

Delegacioni i Kosovës në kuadër të vizitës në Uashington, ka realizuar takime edhe në Departamentin e Shtetit, ku u takuan me ambasadorin Philip Reeker, zëvendës-ndihmës sekretar i SHBA-ve për Evropë.

Ndërsa në Këshillin Kombëtarë për Siguri Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, Ministri Çeku dhe delegacioni i Kosovës zhvilluan një takim me Dr. Liz Sherwood-Randal.

Në takimet që pati Ministri Çeku falënderoi bashkëbiseduesit për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve, për Kosovën dhe FSK-në, si dhe prezantoi të arriturat e FSK-së, vizionin dhe objektivat strategjike të saj, si dhe kërkoi vazhdimin e përkrahjes së SHBA-ve, përmes partneritetit me Gardën Nacionale të Iowas dhe programeve tjera prej të cilave përfiton FSK-ja. Në veçanti u bisedua për procesin e rishikimit të sektorit strategjik të sigurisë si hap i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.

Ministri Agim Çeku gjithashtu kërkoi përkrahjen e SHBA-ve në integrimin e FSK-së, në nisma rajonale dhe në procese integruese evro-atlantike.

Në të gjitha takimet, zyrtarë të lartë amerikanë shprehën mirënjohjen për të arriturat e FSK-së, për punën e lidershipit të saj dhe nxitën përkushtimin e mëtejmë në arritjen e objektivave strategjike duke siguruar për përkushtimin e SHBA-vë për një përkrahje të vazhdueshme për FSK-në.

Nesër delegacioni i Kosovës pritet të zhvillojë edhe disa takime në Uashington për të vazhduar pastaj vizitën në shtetin e Ajovës, ku me ftesë të Gardës Kombëtare të Ajovës do të marrin pjesë në konferencën dy ditore të realizuar në kuadër të Programit për Partneritet në mes të Kosovës dhe Ajovës.