Follow us on:

Zëvendësministri Selimi takime në nivele të larta qeveritare në SHBA

Uashington, 5 dhjetor 2012 - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, po qëndron në Uashington me qëllim të planifikim strategjik të veprimeve lobuese për vitin e ardhshëm, me partnerët amerikanë.

Zëvendësministri Selimi ka pasur takim me zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit, Philip Reeker, me të cilin ka biseduar për çështjet aktuale në agjendën e përbashkët diplomatike dhe planet e Ministrisë së Jashtme të Kosovës për vitin 2013.

Zëvendësministri Selimi ka falënderuar Reekerin dhe stafin e tij për ndihmën e dhënë në anëtarësimin e Kosovës në BERZH dhe bashkëpunimin e frytshëm të këtij viti.

Në Departamentin e Shtetit, zëvendësministri Selimi, po ashtu ka pasur takime të ndarë me Deskun e Kosovës dhe me Deskun për çështje ligjore të Departamentit të Shtetit ku janë shkëmbyer informatat e fundit rreth dialogut, procesit të njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Zëvendësministri Selimi është pranuar po ashtu në Pentagon ku është takuar me zëvendës ndihmës sekretarin e Mbrojtjes, Evelyn Farkas.

Gjatë takimit në Pentagon, Selimi ka qenë i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili dhe atasheu i Sigurisë së Republikës së Kosovës, gjeneral-llajtnënt, Xhavit Gashi dhe ka marrë pjesë në dekorimin e oficerëve të SHBA-vë me medaljen e meritës të Republikës së Kosovës për meritat speciale.

Zëvendësministri Selimi, për çështje të sigurisë dhe zhvillimeve politike ka pasur takim të veçantë edhe në Këshillin për Siguri Kombëtare, ku është takuar me këshilltarët për Evropë dhe Rusi, të nënkryetarit Joe Biden.

Selimi ka pasur një takim të veçantë edhe me zëvendës ndihmës sekretarin e Thesarit të SHBA-ve, Christofer Smart, ku janë diskutuar çështjet e diplomacisë ekonomike, trendët e fundit ekonomik në Kosovë, bashkëpunimin e Kosovës me SHBA-të në organizatat financiare.

Vizita dyditore e zëvendësministrit Selimi do të vazhdojë me takimet me zëvendës ndihmësin e parë të Departamentit të Shtetit për Diplomaci Publike, ambasadorin Adam Ereli dhe Mark Cameron, zëvendës drejtorin e Zyrës për Diplomaci Publike të Departamentit të Shtetit.

Ai do të ketë takime edhe në institucionet strategjike, Qendrën për Studime Transatlantike si dhe Shkollën për Studime të Avancuara të Universitetit “John Hopkins”, ku do të takohet me drejtorët e këtyre institucioneve.

Zëvendësministri Selimi është ftuar po ashtu nga Grupi i Sigurisë Kombëtare pranë Universitetit “Yale”, të mbajë një ligjëratë në këtë universitet prestigjioz, për zhvillimet në Evropën Juglindore.