Follow us on:

Ambasadori Ismaili i dorëzoi letrat kredenciale si ambasador jo-rezident në Kanada

Otavë, 15 dhjetor 2012 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Akan Ismaili, që nga e enjtja do të mbulojë Kanadanë në cilësinë e ambasadorit jo-rezident.

Gjatë ceremonisë shtetërore, ambasadori Ismaili ia dorëzoi letrat kredenciale Shkëlqesisë së Tij David Johnston, guvernator i Përgjithshëm dhe kryekomandant i Kanadasë.

Ceremonia u zhvillua në rezidencën shtetërore të guvernatorit të Përgjithshëm Johnston. 

Të njëjtën ditë, letrat kredenciale i dorëzuan edhe ambasadorët e Indisë, Turqisë, dhe Ukrainës.

Pas dorëzimin formal të kredencialeve guvernatori i Përgjithshëm Johnston mbajti një fjalim rasti, ku pos tjerash i dëshiroi ambasadorit Ismaili mirëseardhje si ambasador i parë i Kosovës në Kanada dhe theksoi rëndësinë e këtij momenti në ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë.

“Dy vendet tona kanë potencial të madh në zgjerimin e lidhjeve dhe kanadezët përkrahin evoluimin e Kosovës në një shtet demokratik, shumë etnik, që respekton të drejtat e njeriut. Së bashku të vazhdojmë të punojmë për paqe, stabilitet politik dhe progres ekonomik në Ballkan”, tha ai në vazhdim.

Ambasadori Ismaili përcolli mesazhet mirënjohëse të presidentes Jahjaga për mbështetjen që Kanadaja ka dhënë për Kosovën dhe popullin e saj.

Ambasadori Ismaili gjatë vizitës në Kanada do të pritet edhe në Departamentin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë Ndërkombëtare.

Kanadaja e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës më 18 mars 2008. Dy shtetet gëzojnë marrëdhënie diplomatike qysh nga prilli i vitit 2009. Kosova mbulohet mbi baza sekondare nga Ambasada e Kanadasë rezidente në Zagreb.