Follow us on:

Ministri i FSK-së Agim Çeku, gjatë vizitës në SHBA, diskuton thellimin e bashkëpunimin bilateral në cështjet e sigurisë

Nga 27 deri më 31 janar 2013, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Agim Çeku, i shoqëruar nga Komandanti i Forcës Tokësore (KFT) gjeneralmajor Rrahman Rama, qëndroi për vizitë zyrtare në SHBA.

Në ditën e parë të vizitës, Ministri Çeku dhe delegacioni që ai kryesonte, u pritën në Departamentin e Mbrojtjes në Pentagon nga Nën-sekretari i Mbrojtjes për Politika, Dr. James Miller dhe Zëvendës-ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Dr. Evelyn Farkas. Në Pentagon, delegacioni u takua edhe me Zëvendës-shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare gjenerallejtënant Joseph Lengyel, gjeneralmajor Timothy Orr,  z.Thomas Niblock, gjeneralbrigade Daniel Lokanson dhe Dr. John Finney.

Në takime u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Shtetit të Ajovës në Programin e Partneritetit Shtetëror (PPS), si dhe mundësive për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpnimit në këtë fushë. Gjithashtu delegacioni i FSK-së foli për iniciativat rajonale të cilat po i ndërmerr përmes EMAC, Task-forcës Rajonale për Kërkim Shpëtim si dhe mundësisë që të përfshihen edhe shtetet e rajonit të cilat kanë PPS me shtetet përkatëse në SHBA. Të dy palët shprehen gatishmërinë që bashkëpunimi të thellohet edhe në fusha tjera.

Ministri Çeku me bashkëpunëtorë pati takim edhe në Departamentin e Shtetit ku u prit nga Zëvendësdrejtori i Zyrës për Çështje Evropiane David Burger dhe Këshilltari për Evropë nga Këshilli  Kombëtar i Sigurisë Mark Fleming. Gjatë këtij takimi u bisedua për arritjet e FSK-së, procesin e RSSS si dhe të ardhmen e FSK-së. Në takimet e realizuara në Uashington ishin pjesëmarrës edhe ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili si dhe gjeneralbrigade Xhavit Gashi, atashe ushtarak pranë Ambasadës.

Ndërsa, gjatë vizitës në shtetin e Ajovës, ministri Çeku iu drejtua Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit të Ajovës, si dhe u takua me Komitetin e Senatit për Çështje  të Veteranëve dhe Komitetin e Shtëpisë së Përfaqësuesve për Çështje të Veteranëve. Delegacioni u prit edhe nga senatori Daryl Beall dhe Gjeneralmajori Tim Orr,  Komandant  i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës. Delegacioni kosovarë gjatë qëndrimit në Ajovë u prit edhe nga kryetarja e qytetit Johnston-Ajova, Znj. Paula Dierenfeld, si dhe anëtarët e Këshillit të Qytetit. Kryetarja Dierenfeld i dhuroi ministrit Çekut, në shenjë respekti dhe nderi nga qyteti i saj Johnston, Proklamacionin e Shkruar, dhuratë kjo për 5-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.