Follow us on:

Republika e Kosovës vendos marrëdhëniet diplomatike me Mikronezinë

Uashington D.C., 19 shtator 2013 – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Akan Ismaili dhe ambasadori i Federatës së Shteteve të Mikronezisë në SHBA, Asterio R. Takesy, kanë nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Ceremonia e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike u zhvillua në Ambasadën e Kosovës në Uashington D.C..

Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet dy ambasadorëve shpreh vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Federatës së Shteteve të Mikronezisë që të promovojnë lidhjet e miqësisë ndërmjet dy vendeve, duke i zgjeruar horizontet e bashkëpunimit, dhe duke përkrahur kauzën e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Në marrëveshje riafirmohet përkushtimi i dy qeverive për parimet e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë respektin e përbashkët për sovranitetin kombëtar, integritetin territorial dhe mos-ndërhyrjen në punët e brendshme të shteteve të tjera.

Federata e Shteteve të Mikronezisë, e ka njohur Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, më 5 dhjetor 2008.