Follow us on:

Ambasada në ShBA kremton gjashtë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Uashington D.C, 26 Shkurt 2014 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/Uashington shënoi gjashtë vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ceremonia zyrtare e organizuar nga Ambasada u mbajt në ambientet e hotelit “Four Seasons”, në Uashington, ndërsa në të morën pjesë zyrtarë të lartë nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes, Kongresmen, Ambasadorë të shumë shteteve të akredituara në vendin pritës (duke përfshirë Ambasadorë të disa shteteve që nuk e kanë njohur vendin tonë), atashe ushtarak (përfshirë atashe ushtarak të shteteve që nuk e kanë njohur vendin tonë), përfaqësues të organizatave të tjera ndërkombëtare si dhe bashkatdhetarë me qëndrim në ShBA. Hapja zyrtare e kësaj pritje u bë nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës z. Akan Ismaili, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre; vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e pazëvendësueshme të shtetit pritës për mbështetjen e shtetit të ri; dhe në veçanti theksoi marrëdhëniet speciale në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.

Në këtë kuadër, Ambasadori Ismaili përmendi edhe partneritetin tashmë të vendosur në mes Republikës së Kosovës dhe shtetit Iowa, duke e vlerësuar si tejet të rëndësishëm forcimin dhe thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe dy popujve.

Një mirënjohje të veçantë, Ambasadori Ismaili i bëri edhe pranisë së Ambasadorëve nga shtetet të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë; kontributit të dhënë nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan dhe aktivistëve të rinj nga Kosova, që aktualisht punojnë për Organizata të ndryshme Ndërkombëtare dhe paralelisht promovojnë vendin tonë me organizimin e aktiviteteve të ndryshme dhe nëpërmjet rrjeteve sociale.

Gjatë kësaj ceremonie, të pranishmëve iu drejtua edhe Ministrja e Integrimeve Evropiane znjsh Vlora Çitaku, e cila ishte mysafire e veçantë nga vendi ynë me rastin e shënimit të kësaj feste. Ministrja Çitaku gjithashtu bëri një reflektim të zhvillimeve në vendin tonë dhe shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për shtetin pritës mbi mbështetjen konsistente dhe rolin substancial të ShBA-ve që nga koha e intervenimit për parandalimin e spastrimit etnik ndaj popullit të Kosovës e deri tek arritja e marrëveshjes së fundit mbi Normalizimin e Marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Nga ana tjetër, nga Departamenti i Shtetit Amerikan, pjesëmarrësve iu drejtua me një fjalë rasti Drejtori për Evropën Jug-Qendrore z. Jonathan Moore, i cili lexoi letrën e urimit të Presidentit Amerikan, Barack Obama, dërguar Presidentes së Kosovës, znj Atifete Jahjaga, duke vlerësuar të arriturat dhe progresin e Kosovës, sidomos në dialogun me Serbinë dhe nisjen e procesit të Stabilizim-Asociimit, si hapi i rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimit Evropian. Me një fjalë rasti të pranishmeve iu drejtua edhe Kongresmeni amerikan dhe miku i madh i vendit tonë, Eliot Engel.

Duke shfrytëzuar këtë ngjarje të rëndësishme, Ambasadori Ismaili në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës znj Atifete Jahjaga i dhuroi Medaljen Presidenciale të Meritave për veprimtarinë dhe angazhimin në afirmimin e çështjes së Kosovës, ish-Ambasadorit amerikan në Kosovë, John Menzies, i cili ishte i pranishëm në këtë ngjarje.