Follow us on:

Ambasadori Ismaili mban ligjëratë në Harvard Club of Washington DC

Uashington, 26 qershor 2014 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington, Akan Ismaili, ka mbajtur sot një ligjëratë para shumë profesorëve dhe studentëve që kanë përfunduar studimet e tyre në Universitetin e Harvardit.

Në ligjëratën e organizuar nga "Harvard Club of Washington DC", ambasadori Ismaili ka bërë një përshkrim të periudhës së pas pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen që ka dhënë SHBA në shtetndërtimin në Kosovë.

Duke folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori Ismaili ka theksuar se pas shtetndërtimit të suksesshëm në Kosovë, fokusi do të jetë në bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, agrikulturës, edukimit, shëndetësisë dhe shkëmbimeve kulturore. "Ne kemi iniciuar disa projekte, të cilat do të rrisin bashkëpunimin tonë me SHBA-në jo vetëm në aspektin politik, por edhe në ekonomi, agrikulturë, edukim dhe shëndetësi.

Prandaj, ne jemi duke bërë përpjekje që të sjellim sa më shumë investitorë amerikanë në Kosovë. Ne do të punojmë edhe me diasporën në Amerikë. Shumë shpejt do të iniciojmë projekte të reja me ta", ka thënë Ismaili, duke shtuar se diaspora e Kosovës në Amerikë duhet të bëhet pjesë e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Si shembull të bashkëpunimit të mirë me SHBA-të, ai ka përmendur bashkëpunimin me Iowa, që nuk është i reduktuar vetëm në bashkëpunim ushtarak, por edhe në agrikulturë dhe fusha të tjera.

Ambasadori Ismaili ka folur edhe për procesin e njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Me këtë rast, ai ka theksuar se Kosova tashmë ka 106 njohje, dhe ky numër do të rritet çdo ditë e më shumë, derisa ka përmendur edhe anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale. Një nga aspiratat shumë të rëndësishme, sipas Ismailit, është edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO.

Sipas tij, kjo duhet të paraprijë procesi i transformimit të FSK-së në FAK dhe anëtarësimit të saj në Partneritetin për Paqe, ku është shënuar një përparim i dukshëm. "Jemi në proces të transformimit të FSK-së në FAK dhe kjo na afron më shumë me NATO-n. Për një kohë shumë të gjatë, ne kemi marrë shumë mbështetje nga partnerët tanë dhe tani është koha kur ne duhet t'ua kthejmë këtë mbështetje.

Një ditë dëshirojmë të shohim FAK-un krah për krah me aleatët e tjerë të NATO-së nëpër misione paqeruajtëse", ka shtuar Ismaili.

Ai ka folur edhe për përparimin që është bërë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ambasadori Ismaili, në fund të ligjerataës, është pyetur për shumë tema, duke përfshirë edhe për imazhin e Kosovës dhe rolin që mund të luajë sporti.

Me këtë rast, ai ka thënë sem ndonëse Kosova ende nuk është anëtare e FIFA-së, ajo, në njëfarë mënyre, po përfaqësohet në kampionatin botëror në Brazil. "Nuk jemi ende anëtarë të FIFA-së, por ne e kemi një ekip përfaqësues. Në kombëtaren e Zvicrës luajnë 5 shqiptarë. Xherdan Shaqiri që shënoi tre gola kundër Hondurasit është nga Kosova", ka theksuar ai.

Më pas, ambasadori Ismaili ka bashkëbiseduar me profesorët dhe studentët e Universitetit të Harvardit për tema të ndryshme. "Harvard Club of Washington DC" përbëhet nga studentë, profesorë, studiues që kanë përfunduar studimet në Universitetyin e Harvardit.