Follow us on:

Ambasadori Ismaili mbajti ligjëratë në Universitetin Georgetown

Uashington, 9 shtator 2014 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington, Akan Ismaili, para një grupi të studentëve të Universitetit prestigjioz amerikan “Georgetown” ka mbajtur një ligjëratë lidhur me shtetndërtimin në Kosovë.

Me këtë rast, ambasadori Ismaili ka përshkruar rrugën e gjatë të shtetndërtimit në Kosovë, duke theksuar se pavarësia e Kosovës ka prodhuar paqe në Evropën Juglindore.

Sipas tij, shtetndërtimi në Kosovë ka qenë një aspiratë e vazhdueshme e popullit të Kosovës, e cila ka gjetur në kohën e duhur mbështetjen ndërkombëtare, pas luftërave të përgjakshme.

Ambasadori Ismaili ka folur edhe për procesin e njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe forcimin e sovranitetit të Kosovës.

Sipas tij, shumica e vendeve anëtare të OKB-së, tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. “Ky numër do të rritet çdo ditë e më shumë, derisa anëtarësimi i Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale nuk do të ndalet”, ka shtuar ambasadori Ismaili.

Duke folur për procesin e lobimit, ai ka theksuar se ky proces jo vetëm që ka mundësuar njohjen nga shtete të ndryshme të botës, por ka krijuar një trashëgimi dhe njohuri të funksionimit dhe ndërvarësisë së shteteve. “Nga procesi i lobimit që është zhvilluar shtet me shtet, kemi krijuar njohuri të paprecedentë për ndërvarësinë e shteteve në botë”, ka thënë ambasadori Ismaili.

Ai ka folur edhe për përparimin që është bërë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, derisa ka theksuar se një nga aspiratat shumë të rëndësishme është edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO.