Follow us on:

Ambasadori Ismaili në konferencën “Diplomacia Humanitare”

Uashington, 29 tetor 2014 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington, Akan Ismaili i ftuar nga “Diplomatic Courtier” ka marrë pjesë si panelist në Konferencën me temën “Diplomacia Humanitare”.

Para shumë diplomatëve dhe përfaqësues institucionalë dhe të jetës publike në Uashington, ambasadori Ismaili ka theksuar se solidariteti njerëzor ishte përcaktues në mbijetesën e popullit të Kosovës gjatë viteve të 90-ta.

Duke folur për suksesin e organizatave të shumta ndërkombëtare që kanë mbështetur Kosovën që nga ditët e para të pasluftës, ambasadori i Ismaili ka thënë se ky sukses nuk do të ishte i mundur pa një aktivizim të gjerë shoqëror.

Sipas tij, matësi i një intervenimi humanitar të suksesshëm është niveli i përfshirjes së qytetarëve në të, është aktivizimi qytetarë, pjesëmarrja e tyre.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës në vitin 1999 u shndërruan në aktivistë humanitarë. Të gjithë kanë qenë të përfshirë në mbështetjen për njëri-tjetrin. Kjo ka ndihmuar shumë në procesin e zhvillimit social, lehtësimin e tranzicionit dhe që ky intervenim të jetë i suksesshëm”, ka shtuar ai.

Sipas tij, burimi i këtij solidariteti ishin vitet e 90-ta, ku popullit të Kosovës iu mohuan të drejtat elementare të njeriut në një sistem të aparteidit.

Panelistët janë fokusuar kryesisht në intervenimin e organizatave humanitare nëpër vende të ndryshme të botës, në parandalimin e krizave dhe në rimëkëmbjen shoqërore.

Me këtë rast, ambasadori Ismaili ka theksuar se organizatat që kanë ndihmuar Kosovën në ditët e para të pasluftës, janë profesionistë, kanë prekur jetët e qytetarëve të Kosovës dhe janë shndërruar në miq të vërtetë.

“Ata kanë ndihmuar kosovarët jo vetëm që të plotësojnë nevojat e tyre elementare, por kanë bërë që të ndihen si qenie njerëzore”, duke shtuar se shumë nga këto organizata kanë qenë më mirë të organizuara sesa vet misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

“Për fat ne kemi pasur KFOR-in. Ata kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në bashkimin dhe koordinimin e këtyre organizatave humanitare”, ka thënë ambasadori Ismaili.

Konferenca është organizuar nga “Diplomatic Courtier”, e cila ka një rrjet shumë të fuqishëm të diplomatëve dhe përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave jo qeveritare në Uashington.