Follow us on:

Thaçi merr mbështetjen e kongresit amerikan

Uashington, 2 shkurt 2015 - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i jashtëm, Hashim Thaçi, së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollakun dhe ambasadorin Akan Ismaili janë pritur në takime të ndara nga senatori amerikan Chris Murphy dhe kongresmeni George Holding.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka diskutuar me nikoqirët për zhvillimet e fundit në vend dhe për angazhimet e Kosovës brenda dhe jashtë shtetit. 
 
Zëvendëskryeministri Thaçi gjithashtu i ka njoftuar ata për funksionimin e Qeverisë stabile dhe gjithëpërfshirëse, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për fokusin e institucioneve të Kosovës për zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërsa, si e arritur është përmendur edhe situata e sigurisë në vend.
 
Nga ana tjetër, senatori Murphy, e ka përgëzuar zëvendëskryeministrin Thaçi për formimin e Qeverisë dhe progresin e arritur në Kosovë. Ai e ka vlerësuar lartë maturinë e Qeverisë së Kosovës në përballjen me sfidat e brendshme dhe të jashtme.
 
Duke kujtuar vizitën e tij në rajon, senatori Murhpy ka thënë se e ka parë se sa është i rëndësishëm për rajonin angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-ve, sikurse edhe prania e BE-së.

“Edhe SHBA-të sikur edhe BE-ja, duhet të mbesin të angazhuara në rajon”, ka deklaruar Murphy.
 
Për zhvillimet në Kosovë, zëvendëskryeministri Thaçi e ka njoftuar edhe kongresmenin, George Holding. Me këtë të fundit, zëvendëskryeministri Thaçi ka diskutuar për procesin e bartjes së plotë të kompetencave në fushën e gjyqësisë nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore.
 
Ndërsa, kongresmeni Holding ka premtuar përkrahje në këtë fushë duke theksuar se “reforma në sistemin e drejtësisë në Kosovë do të vazhdojë të mbështetet nga SHBA-ja”.
 
Pas Uashingtonit, delegacioni nga Kosova do të udhëtojë për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.