Follow us on:

Thaçi merr përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Uashington, 5 shkurt 2015 – Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi ka takuar senatorin Ben Cardin udhëheqës i Komitetit të Helsinkit në OSBE.

Zëvendëskryeministri Thaçi e ka njoftuar senatorin Cardin për krijimin e qeverisë së re si dhe angazhimin e saj për transformimin e FSK-së në Forcën e Armatosur të Kosovës.
 
Me këtë rast, zëvendëskryeministri Thaçi dhe senatori Cardin kanë diskutuar edhe për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për marrëveshjet e arritura deri më tash ndërmjet dy shteteve. 
 
Zëvendëskryeministri Thaçi gjithashtu e ka njoftuar senatorin Cardin edhe për pritjet e shtetit të Kosovës që nënshkrimi i MSA-së të ndodhë gjatë këtij viti si dhe procesi i liberalizimit të vizave. Ai ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
 
Nga ana tjetër senatori Cardin ka premtuar se SHBA-të do të mbështesin fuqishëm Kosovën dhe do të vazhdojnë ta ndihmojnë rrugëtimin e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. “SHBA-të mbështesin fuqishëm Kosovën dhe do të punojmë ngushtë që Kosova të bëhet pjesë e OSBE-së dhe organizatave tjera ndërkombëtare”, ka theksuar Cardin.
 
Gjatë qëndrimit në Uashington, zëvendëskryeministri Thaçi është takuar edhe me  udhëheqësin e Asamblesë Parlamentare të NATO-së, kongresmenin Mike Turner.
 
Ky i fundit është njoftuar nga zëvendëskryeministri Thaçi për angazhimin e institucioneve të Kosovës për të përshpejtuar anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE.
 
Zëvendëskryeministri Thaçi është shprehur se perspektiva e Kosovës dhe rajonit është për tu bërë pjesë e NATOS-së dhe BE-së.
 
“Kosova është duke bërë transformimin e forcave të saj në Forcën e Armatosur të Kosovës dhe fillimisht presim të bëhemi pjesë e Partneritetit për Paqe dhe më vonë për tu integruar në NATO”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Thaçi.
 
Ndërsa ka vlerësuar se ngadalësimi i këtij procesi për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit, mund të fuqizoj rolin e forcave destabilizuese në këtë rajon.
 
“Sa më i ngadalshëm bëhet procesi për anëtarësimin në NATO dhe zgjerimin e saj në rajon, aq më shumë hapësirë mund të fitojnë forcat destabilizuese në rajonin e Ballkanit”, është shprehur zëvendëskryeministri Thaçi.
 
Ndërsa Turner ka thënë se Kosova është në agjendën e tij të përditshme dhe e ka siguruar zëvendëskryeministrin Thaçi, se nuk do të mungoj mbështetja e tij në komitetin të cilin ai e drejton për të përkrahur Kosovën në drejtim të integrimit sa më të shpejt në strukturat euroatlantike.
 
Po ashtu kongresmeni Turner ka shprehur gatishmërinë e tij që të vizitoj rajonin dhe Kosovën në një të ardhme të afërt.