Follow us on:

Fjala e ambasadorit: Vjena është “porta e Kosovës” drejt Perëndimit

Në një intervistë për albinfo.at, diplomati kosovar flet për punën dhe angazhimet e tij në kuadër të misionit në Austri si dhe për fokusin e çështjeve të rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. E Mërkurë, 20 Janar 2021 - 10:40Arben Gjinaj

Ka afro një vit që ka pranuar misionin si ambasador i Kosovës në Austri. Më të marrë detyrën e re, ambasadorit Lulzim Pllana iu desh të ballafaqohet me probleme dhe sfida të ndryshme. Vetëm pak muaj pasi u emërua në pozitën më të lartë të përfaqësimit të vendit, filloi pandemia e koronavirusit. U mbyllen kufijtë. Shumë qytetarë të Kosovës mbetën rrugëve. Ai dhe stafi i ambasadës ishin 24 orë në gatishmëri për t’iu bërë zgjidhje secilit.  Pavarësisht kësaj, Ambasadori Pllana ka qenë çdo ditë i angazhuar për të intensifikuar mënyra të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Austrisë. Ka zhvilluar takime bilaterale me krerët më të lartë institucionalë shtetërorë të Austrisë, më qëllim të gjetjes së mënyrave të ngritjes së bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar, investimeve si dhe hapjes së mundësive që edhe kompanitë kosovare të jenë prezent në tregun e Austrisë. Po ashtu, zotëri Pllana përgjatë kësaj kohe ka qenë shumë i afërt edhe me komunitetin shqiptar, gjegjësisht atë të Kosovës në Austri. Ai ka pasur takime të shumta me shoqata dhe grupe të ndryshme shqiptare për të kuptuar kërkesat e tyre si dhe për të gjetur mënyra sa më të mira që komuniteti shqiptar të jetë një pasqyrë e mirë për shtetin dhe popullin austriak.

U mbush afër një vit nga fillimi i misionit tuaj si ambasador në Austri. Një vit jo edhe ai lehtë për ju, mbase sfidues, aq më tepër pasi është edhe hera e parë që jeni emëruar si ambasador në një mision diplomatik. Si mund ta përshkruani kohën e deritashme të misionit tuaj në Austri?



Diplomacia ka qenë dhe mbetet ende me sfida për Republikën e Kosovës derisa të arrijmë cakun, që të jemi pjesë e OKB-së e me këtë edhe e organizatave të tjera ndërkombëtare. Është vërtetë kënaqësi t’i shërbej Kosovës në një vend mik të dëshmuar siç është Austria. Përvoja ime e mëhershme me shtetin austriak, qoftë nga bashkëpunimi i Universitetit të Prishtinës me universitetet austriake, Ministrive  të Punëve të Jashtme,  si dhe kontaktet me miq austriakë bëjnë që puna të ketë rrjedhën e bashkëpunimit të mirë edhe në mes të dyja vendeve.

Marrëdhëniet diplomatike janë edhe marrëdhëniet mes njerëzve te vendeve. Në kohët e vështira për Kosovën dhe popullin e saj, Austria është dëshmuar me mbështetjen, afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, e tutje sidomos në fushën e arsimit, njohjen e diplomave shkollore, gjë që për ne në Evropë ishte e llojit të veçantë.

Është përgjegjësi si Ambasador, që edhe në kohë sfiduese si kjo me pandeminë, të gjenden mënyra intensifikimi të bashkëpunimit mes dy vendeve. Këtu duhet të mendojmë se çka është edhe me rëndësi për kohën post-Covid. Kam zhvilluar takimet bilaterale me krerët e lartë institucionalë shtetërorë në Vjene dhe “Lande” nëpër Austri me qëllim të gjetjes së mënyrave të ngritjes së bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar, investimeve si dhe hapjes së mundësive që edhe kompanitë kosovare të jenë të pranishme në tregun e Austrisë.

Erdhët në kohën kur u desh të ballafaqoheni me probleme dhe sfida të ndryshme. Me të marrë detyrën, filloi pandemia e koronavirusit. U mbyllën kufijtë. Shumë qytetarë të Kosovës mbetën rrugëve dhe kërkonin ndihmën e ambasadës. Sa ka qenë e vështirë kjo dhe si e keni përballuar?
Menjëherë pas takimeve njoftuese në Vjenë, filloi faza graduale e paraqitjes së pandemisë. Masat parandaluese, mbyllja e kufijve ishin sfiduese për ne dhe  qytetarët tanë,  por falë bashkëpunimit dhe koordinimit të mirë me MPJ-në në Prishtinë, MPJ-në austriake dhe profesionalizmit të misionit tonë në Vjenë, kemi arritur të menaxhojmë situatën mirë. Vërtetë janë kohë të vështira për të gjithë qytetarët tanë, kur liria e lëvizjes ka cenuar sidomos, udhëtimin, lëvizjet drejt Kosovës. Jemi angazhuar maksimalisht që të gjejmë zgjidhje ndaj kërkesave të qytetarëve. Ambasada ka qenë funksionale 24 orë për qytetarët tanë me shërbimet konsullore dhe mbetemi ende në shërbim të qytetarëve tanë në Austri.

Ende jemi në kohën e pandemisë dhe virusit Covid -19. Në mesin e shumë qytetarëve në Austri, natyrisht se ka edhe qytetarë të Kosovës të prekur nga ky virus. A keni statistika se sa shtetas kosovarë në Austri janë të infektuar dhe sa është numri i të vdekurve?

Ne bazohemi në të dhënat e autoriteteve vendore, që në raste të pandemisë është ndoshta jo e rëndësishme që të prekurit të ndahen apo të klasifikohen në bazë të shtetësisë. Me kalimin e kohës dhe me rritjen e numrave nuk përjashtojmë mundësinë e infektimit. E rëndësishme është që t’u përmbahemi rregullave të parandalimit dhe të kemi kujdes që virusi të izolohet dhe të mos shpërndahet tutje. Ne kemi marrë masat në shërbimin konsullor dhe bëj apel që të jemi të kujdesshëm, t’i respektojmë masat deri në kalimin e situatës.

Të lëmë pakëz anash pandeminë. Ambasada e Kosovës në Austri është pikë me interes shumë të madh për shtetin e Kosovës. Numri i madh i organizatave ndërkombëtare në Vjenë bën që roli i ambasadës së Kosovës të jetë me intensitet të lartë të punës. Cili ka qenë fokusi i punës suaj dhe çfarë po bëni ndryshe nga paraardhësit tuaj?

Vjena ka rëndësinë e vet historike, bilaterale dhe multilaterale për Kosovën dhe mund lirisht ta quaj Porta e Kosovës drejt perëndimit, integrimit evropian, qoftë me njohje, anëtarësime, bashkëpunim bilateral e deri tek raportet mes popujve. Fokusi im mbetet, në ngritjen e numrit të marrëveshjeve që lehtëson bashkëpunimin, punën e qytetarëve tanë siç janë njohja e patentshoferit, dokumentacionit, shkëmbimet në fushe të kulturës dhe të tjera. Por më duhet te theksoj që ekonomia do të ketë prioritet, veçanërisht bashkëpunimi i kompanive kosovare me ato austriake.

Menaxhimi i pandemisë Covid-19 ka vënë prioritetin, që të fokusohemi më shumë edhe në fushën e shëndetësisë në shkëmbimet profesionale, gjë që do të jenë me intensive në të ardhmen.

Edhepse Kosova ende nuk është pjesë e organizatave të mëdha ndërkombëtare ne Vjenë, ne megjithatë jemi vigjilentë ta përcjellim punën e organizatave në Vjenë qoftë në OSBE, OKB apo dhe organizata tjera. Nuk është ë lehtë, nëse nuk je anëtar në një organizatë dhe të mund të veprosh, të reagosh drejtpërdrejtë. Këtu shfrytëzoj rastin të falënderoj Ambasadën Shqiptare Misionin Shqiptar në OSBE, miqtë tanë austriakë dhe ndërkombëtarë për qasjen dhe mbështetjen si dhe takimet e shpeshta që kemi dhe mund te reagojmë me kohë për temat lidhur me Kosovën në këto organizata.

 

Ju kemi parë shumë aktiv me takime dhe zyrtarë të lartë shtetërorë austriakë dhe ndërkombëtarë. Në fakt, cili është raporti midis dy shteteve dhe cili është bashkëpunimi mes Austrisë dhe Kosovës qoftë në aspektin politik, ekonomik, tregtar dhe kulturor?

Austria është vend mik i Kosovës, i veçantë edhe brenda vendeve te Bashkimit Evropian. Austria, si asnjë vend tjetër mbështet liberalizimin e vizave, gjë që është cekur në programin e koalicionit qeverisës. Por nga bashkëpunimi i mirë politik, duhet që në kohë të tilla sfiduese për Kosovën të fokusohemi në atë që kemi nevojë më së shumti: bashkëpunimin ekonomik, t’i rrisim shkëmbimet tregtare sidomos ato kosovare, të mbështesim kompanitë tona drejt ekspandimit të produkteve të tyre në tregun evropian. Kjo do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe në zbutjen e papunësisë në Kosovë.

Raportet mes dy vendeve janë të shkëlqyeshme. Kemi shoqatën e Miqësisë Kosovaro-Austriake të drejtuar nga eurodeputeti Lukas Mandl dhe shumë miq tjerë austriak që bëjnë që raportet e Kosovës dhe Austrisë të jenë në nivelin e duhur, edhepse për shkak të pandemisë aktivitetet janë të një intensiteti më të ulët.

Kemi grupin parlamentar të miqësisë, të udhëhequr nga zonja Carmen Jeitler- Cincelli dhe parlamentarë tjerë që vërtet janë miq të Kosovës. Kemi dhe diasporën tonë të mirëintegruar që na bën që raportet tona të jenë të mira. Po ashtu edhe konsujt tanë të nderit janë të angazhuar për një përfaqësim dinjitoz të vendit tonë.

Përgjatë kësaj kohe sa jeni me mision në Austri, a keni arritur të evidentoni problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës dhe cilat janë ato?

Austria ka njohur Kosovën dhe është mbështetëse e agjendës evropiane të Kosovës. Ndërsa, problemet e qytetarëve tanë janë më tepër të natyrës teknike. Por, ne si Ambasadë si dhe me shërbimin konsullor jemi në kontakt të vazhdueshëm me qytetarë dhe autoritetet e vendit pritës.

Një prej problemeve që po hasin çdo ditë qytetarët e Kosovës, të cilët udhëtojnë qoftë edhe transit nëpër Austri, është mosnjohja e patentshoferëve të Kosovës. Ju keni pasur biseda me zyrtarë austriakë, ku keni diskutuar edhe për këtë çështje. Ku qëndron problemi dhe a pritet ndonjë zgjidhje?
Kosova tashmë është shtet dhe duhet t’ju bashkohet konventave të ndryshme. Kur flasim për patentshoferët, kam zhvilluar takime të shumta me autoritetet në Vjenë. Kemi mbështetjen e MPJ-së dhe Ministrisë së Komunikacionit në Vjenë që të gjejmë një zgjidhje të shpejtë, ku patentshoferi i Kosovës nuk do të këtë probleme në Austri.

Një çështje tjetër me të cilën po ballafaqohen biznesmenët shqiptarë në Austri është pamundësia për plasimin e produkteve kosovare në tregun austriak. Në dyqanet austriake shohim produkte të shteteve të ndryshme, por jo edhe të Kosovës. Keni pasur takime me bizneset shqiptare dhe ato austriake për këtë çështje. Prandaj, a kemi ndonjë rezultat konkret rreth kësaj çështje?

Bashkëpunimi ekonomik, ka prioritet gjatë mandatit tim këtu, dhe siç e thash më sipër, në çdo takim që kisha në “Landet” nëpër Austri, temë kryesore ishte bashkëpunimi ekonomik i bizneseve dhe arritja e standardeve të kualitetit siç është në Bashkimin Evropian. Tash vonë në federatën e industrisë austriake, morëm mbështetje për bashkëpunim të kompanive, ku kompanitë austriake do të mund të njihen me kompanitë kosovare. Sigurisht që duhet të angazhohemi më tepër edhe me Odat Ekonomike.

Ne duhet të nxisim bashkëpunimin mes kompanive, duhet t’i mbështesim produktet tona dhe të sigurojmë kompanitë austriake për kualitetin e produkteve që prodhohen në Kosovë. Unë zakonisht kur jam në Kosovë, vizitoj kompanitë dhe mahnitem me kualitetin dhe arritjet e tyre në tregun jashtë vendit. Këtu dua të përmend produktet që konsumohen edhe nga qytetarët tanë këtu, si: “Prince Caffen”, zarzavateve te ndryshme nga Krusha apo edhe produkteve të tjera të ndërtimtarisë.

Meqë me Austrinë kemi një bazë të mirë bashkëpunimi, e cila bën pjesë në top 5-shen e investitorëve në Kosovë, ne duhet të përpiqemi që edhe kompanitë kosovare të kenë ndërlidhjen nëpërmjet bashkëpunimit të mirë me këto kompani edhe në tregun evropian.

Dua të ndalem edhe tek një çështje tjetër, ndonëse nuk po e flasim për herë të parë. Ju sigurisht e dini se vijueshmëria e nxënësve shqiptarë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Austri nuk është e kënaqshme. Çfarë është duke bërë Ministria e Arsimit në Kosovë, Ministria e Jashtme dhe e Diasporës, por edhe ju si diplomat rreth kësaj çështjeje?

Sa i përket mësimit, unë kam takuar mësuesit e gjuhës shqipe në muajin e kaluar dhe kemi diskutuar për të gjitha çështjet që mund të ndihmoj në avancimin e mësimit të gjuhës shqipe. Angazhimet me dekada të mësuesve tanë duhet të shpijnë në rezultate të prekshme dhe efektive. Për këtë kam propozuar që mësuesit e gjuhës shqipe, pas një simpoziumi të tyre në mbështetje te ambasadës po ashtu edhe ambasadës së Shqipërisë, të dalin me rezultate dhe kërkesa konkrete ndaj nesh. Ministria e Jashtme dhe e Diasporës, edhe gjatë vizitës se Ministres Haradinaj në Vjenë, por edhe Ministria e Arsimit, janë të gatshme për mbështetje të diasporës sonë.

Në vazhdën e takimeve me grupe dhe individë të caktuar, keni pasur një takim edhe me Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Austri. Për aq sa kemi njohuri, ata janë të interesuar të investojnë si grup në Kosovë, por po hasin në barriera të ndryshme atje. A ka ndonjë zgjidhje që të shfrytëzohet potenciali që ka Rrjeti i Bizneseve këtu në Austri për investime në Kosovë?

Ne kemi pasur një takim shumë konstruktiv me Rrjetin e Bizneseve dhe e falënderoj kryesinë dhe gjitha kompanitë për angazhimin e tyre. Kemi diskutuar me kompanitë për mundësitë dhe problemet që kanë, si dhe për idetë e lehtësimit të bashkëpunimit. Për shkaqe të pandemisë është e vështirë të bëhet një plan konkret në të ardhmen e afërt, por duhet të koordinohemi që të përafrojmë bizneset e diasporës, rrjetit me ato në vend. Është me rendësi që të shtjerrën mundësitë që kompanitë të zhvillojnë ide të përbashkëta në zhvillimin e bizneseve te tyre, sidomos me prodhuesit në Kosovë. Idetë janë që nga krijimi i një “Show room”-i të produkteve, aftësimit profesional i të rinjve dhe uljen e papunësisë në Kosovë.

Në Austri kemi një diasporë deri diku të organizuar. Ka aktivitete të ndryshme, funksionojnë shoqata të shumta. Ka persona mirë të integruar dhe biznesmenë të suksesshëm. Ju si e shihni rolin e diasporës në Austri?

Diaspora është pasqyrë e jona në vendin ku ne veprojmë dhe është e integruar mirë në Austri. Jam krenar me punën e diasporës, angazhimin e saj për Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Roli i diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit tonë është i padiskutueshëm. Nga takimet që kisha deri më tani, kam hasur në diasporë të integruar mirë në të gjitha fushat: kemi mjekë, policë, asamblistë, biznesmenë, artistë që janë shumë më rendësi për pasqyrën e Kosovës dhe shqiptarëve në Austri.

Jemi në kontakt të vazhdueshëm me diasporën, në rrethana të sotme të pandemisë dhe virtualisht për tema të ndryshme. Kemi Këshillin Koordinues të Shoqatave që kanë të integruar shoqata nga mbarë vendi dhe bëjnë një punë konkrete në afirmimin e imazhit të vendit. Kemi dhe kompani të suksesshme që ndihmojnë edhe prodhuesit nga Kosova si në ndërtimtari, shërbime IT, etj.

Jam vërtet mirënjohës për gjithë kontributin e tyre, sidomos me solidaritetin dhe mbështetjen gjatë kohës se pandemisë për qytetarët tanë, qoftë me strehim apo mbështetje në forma të ndryshme.

E kam edhe një pyetje: Tash e disa javë ish-presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, së bashku me politikanë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së gjenden dhe akuzohen në Hagë për krime lufte. Për ju si ambasador dhe përfaqësues i shtetit të  Kosovës, a është përgjegjësi shtesë kjo, kur takoheni me zyrtarë austriakë apo ndërkombëtarë?  

Është një padrejtësi e madhe që i bëhet luftës, imazhit të UÇK-së dhe vendit. Ne, krenohemi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me gjithë çlirimtarët tanë. Askush nuk mund të rishkruaj historinë tonë.

I dashur Ambasador, para se të vini si diplomat në Austri, ju keni shërbyer në Ambasadën tonë në Gjermani, në Berlin, ndonëse me një detyrë tjetër. A mund të dimë pak më shumë një profil tuaj mbi përvojën tuaj të punës, shkollimin, gjuhët e huaja, prejardhjen dhe familjen?

Unë jam lindur në Prishtinë. Shkollimin e kam kryer në Kosovë dhe Gjermani, ku kam kaluar edhe një pjesë të jetës me studime dhe punë.

Në Prishtinë kam punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, paraprakisht edhe në Universitetin e Prishtinës ku kam udhëhequr zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Universitetit.

Në Berlin kam qenë i ngarkuar me bashkëpunimin bilateral Kosovë – Gjermani, në fusha  të ndryshme, sidomos në atë të ekonomisë dhe në procesin e Berlinit. Në Vjenë jetoj me familje, bashkëshorten Dafinën që e falënderoj për mbështetjen e saj të pakursyer dhe veçanërisht për edukimin e dy fëmijëve tanë.


Kam nderin të shërbej në Vjenë

Raportet diplomatike janë edhe raportet personale mes popujve dhe të përfaqësuesve të tyre. Me gjithë pandeminë, kemi arritur të ambientohemi mirë. Vjena dhe Berlini kanë qenë mbështetëse për Kosovën dhe kemi pas një mikpritje të mirë nga Vjena. Pozita gjeografike e bën që të jemi më afër me Kosovën dhe po ashtu të kemi mundësinë të krijojmë miqësi të reja edhe nëpër vende të ndryshme të Austrisë. Ne kemi nderin të shërbejmë në Vjenë dhe të kontribuojmë në thellimin e marrëdhënieve Kosove- Austri.



Mesazhi për Vitin e Ri

Mesazhi im është që 2021 të jetë një vit i mbarë për të gjithë, me shëndet për të gjitha familjet tona. Ne si Ambasadë do të jemi në krye të detyrës për punë dhe zhvillim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Austrisë. Zoti e bekoftë Kosovën dhe Austrinë!