Follow us on:

Ambasadorja Ahmetaj vizitoi delegacionin e Kosovës në Olimpiadën Speciale

Antverp, 11 shtator 2014 - Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bruksel, Mimoza Ahmetaj, e shoqëruar nga Sekretari i Dytë, Valdrin Grainca, ka vizituar delegacionin kosovar që po merr pjesë në Olimpiadën Speciale për Evropë dhe Azi në Antverp të Belgjikës.

Delegacioni i Kosovës përbëhet nga fëmijë me nevoja të veçanta dhe po qëndron në Borsbeek, fshat me status të Komunës afër Antverpit. Ky fshat feston edhe 750 vjetorin e formimit ndërsa është mikpritës i delegacionit të Kosovës. 

Ambasadorja Ahmetaj u prit nga organizatorët dhe Kryetari i Komunës Borsbeek. Kryetari i Komunës Dis Van Berckelaer dhe Ritje Schouppe-Moons falënderuan për vizitën e Ambasadores dhe shpjeguan historikun e fshatit dhe lojërave olimpike speciale.

Ambasadorja Ahmetaj falënderoi banorët dhe organizuesit për pritjen e delegacionit të Kosovës, kujdesin e treguar dhe gjithpërfshirjen e fëmijëve tanë në këto aktivitete. Sipas Ambasadores Ahmetaj kjo Olimpiadë është në shërbim të gjithëpërfshirjes dhe njohjes së kulturave tona respektive. “Kosova ka filluar të njihet anembanë botës përmes emrave të mëdhenj në sport. Kosova, edhe pse e vogël, ka dëshmuar se është burim i talenteve në sport siç është Majlinda Kelmendi dhe uroj të jenë edhe pjesëmarrësit nga Kosova të suksesshëm sikurse Majlinda”, theksoi Ahmetaj.

Gjatë vizitës, Ambasadorja Ahmetaj u takua edhe me diasporën kosovare qe jeton në Borsbeek dhe të cilët pohuan se janë të integruar mirë. Me këtë rast ajo e vizitoi edhe ekspozitën me rastin e 750 vjetorit të themelimit të fshatit. Ekspozita tregon zhvillimin e Borsbeek në etapa të ndryshme kohore.