Follow us on:

Thaçi dhe Ashton bisedojnë për thellim të përkushtimeve rreth perspektivës evropiane për Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bruksel, është pritur nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baronesha Catherine Ashton.

Në një drekë pune të organizuar me këtë rast, Kryeministri Thaçi dhe Përfaqësuesja e lartë e BE-së baronesha Catherine Ashton, kanë diskutuar për thellimin e përkushtimeve për perspektivën evropiane të Kosovës.

Në takim është diskutuar për përshpejtimin e proceseve të reformës në Kosovës për të përshpejtuar proceset integruese. Është folur edhe për proceset e bashkëpunimit rajonal, të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe progresin e mëtutjeshëm në procesin e liberalizimit të vizave dhe për nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë.

Kryeministri Thaçi në këtë kontekst theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar fuqishëm për thellimin e bashkëpunimit rajonal, me qëllim të avancimit të proceseve pozitive në rajon, të stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Kosova ka ndërtuar raporte të mira fqinjësore me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, si dhe është e interesuar të ndërtojë raporte të mira ndërshtetërore edhe me Serbinë, - theksoi kryeministri Thaçi.