Follow us on:

Vizita dyditore në Bruksel e kryeministrit Kurti dhe zëvëndësve të tij Bislimi e Gërvalla

Bruksel, 29 prill 2021 - Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti së bashku me Zëvendës Kryeministrin për Integrime Evropiane z. Besnik Bislimi dhe Zëvendës Kryeministren/Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporë znj. Donika Gërvalla, të shoqëruar nga i ngarkuari me punë, Ambasadori z. Astrit Zemaj, ka realizuar vizitën dy ditore në Bruksel. Vizitën Kryeministri i Kosovës z.Kurti e ka filluar me takimin me Kryeministrin e Belgjikës, z. Alexander De Croo, dhe në Komisionin Evropian në pesë takime të ndara me anëtarë të KE:

- Janusz Wojciechowski - Komisioneri Evropian për Bujqësi dhe Zhvillim Rural,
- Didier Reynders - Komisioneri Evropian për Drejtësi,
- Kadri Simson - Komisionerja për Energji,
- Paolo Gentiloni - Komisioneri Evropian për Ekonomi, dhe
- Valdis Dombrovskis - Nënkryetar Ekzekutiv i Komisionit Evropian për një Ekonomi që Punon për Njerëzit.

Takimet kanë vazhduar me Kryetarin e Parlamentit Evropian, z. David Sassoli, si dhe z. Miroslav Lajčák - Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, ditën e dytë të vizitës Kryeministri z.Kurti e ka filluar me takimet së pari me z. Jens Stoltenberg - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pastaj për të takuar z. Josep Borrell – Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, me z. Olivér Várhelyi - Komisionerin Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim si dhe me znj. Ursula von der Leyen - Presidenten e Komisionit Evropian.

Vizitën në Bruksel Kryeministri Kurti e ka përmbyllur me prezantimin që ka bërë para anëtarëve të Komisionit të Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme dhe më pas takimin që kishte me Kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme z. David McALLISTER.