Follow us on:

Kryetari i Kuvendit takohet me Kryetarin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek

Kreu i Kuvendit të Kosovës e njoftoi Kryetarin Buzek për konsolidimin institucioneve në Kosovë, për stabilitetin dhe sigurinë, për njohjet ndërkombëtare që i janë bërë Kosovës, për mbrojtjen e komuniteteve dhe të drejtave të njeriut.

Ai vuri theksin në mënyrë të veçantë te problemet në veri të Kosovës, ku, siç tha Krasniqi, krimi i organizuar mbështetet nga strukturat e shtetit serb.

Kryetari i PE-së, Buzek, tha që Parlamenti Evropian është gati të mbështesë pavarësinë, demokracinë dhe ekonominë e lirë të Kosovës. Ai vuri theksin në dy aspekte të veprimeve që duhet të ndërmarrë Kosova: reformat e gjithanshme dhe bashkëpunimin në rajon. Duke folur për zgjedhjet e fundit në Kosovë, ai shprehu një shqetësim për parregullsitë që janë shënuar në këto zgjedhje dhe kërkoi që zgjedhjet, në të ardhmen, të jenë të drejta dhe transparente. Përveç kësaj, ai tha që delegacioni evropian dhe z. Kukan, janë shumë të angazhuar që ta ndihmojnë Kosovën por, siç tha ai, ju në Kosovë do të duhej të intensifikoni veprimet për realizimin e reformave në dobi të prosperitetit të Kosovës në të ardhmen.

Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Kryetari i Kuvendit morri pjesë edhe në takimin e përbashkët parlamentar.