Follow us on:

I ngarkuari me punë në ambasadën e Kosovës në Sofje, Delfin Pllana ka zhvilluar takime me homologë të shteteve të rajonit dhe drejtues të institucioneve të Bullgarisë

Sofje, 24 mars 2021- I ngarkuari me punë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Sofje, ambasadori Delfin Pllana, me rastin e emërimit në detyrën e re ka zhvilluar një sërë takimesh me homologë të shteteve të rajonit të akredituar në Sofje si dhe zyrtarë e drejtues të institucioneve të Bullgarisë. Takimet i ka filluar me ambasadoren e Shqipërisë ne Sofje, Donika Hoxha, derisa ka vazhduar me ambasadoren e Kroacisë, Jasna Ognjanovac, ambasadoren e Malit të Zi, Snezhana Radovic dhe atë të Sllovenisë, Anzhej Frangesh.

Në takimet e ndara, ambasadori Pllana duke falënderuar homologet për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim ka vlerësuar se ambasada e Kosovës dhe ambasadat respektive në varësi edhe të rrethanave pandemike duhet shqyrtuar mundësitë që përmes aktiviteteve të ndryshme të promovojnë kulturën dhe vlerat e përbashkëta qe ndajnë vendet tona.

Në këto takime, ambasadoret e rajonit, duke i uruar mirëseardhje ambasadorit Pllana, përveç vlerësimeve për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet ambasadave dhe vendeve respektive u diskutua edhe për temat aktuale që ndërlidhen me zhvillimet në Bullgari, menaxhimin e pandemisë si dhe efektet mbi punën dhe angazhimin e misioneve diplomatike.

Ndërkohë, ambasadori Pllana mori pjesë në pritjen simbolike të organizuar nga ambasadorja e Shqipërisë Donika Hoxha, ku i pranishëm ishte edhe zv. ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë Petko Doykov. Me këtë rast, zv. ministri Doykov i uroi mirëseardhje ambasadorit Pllana, duke i ofruar asistencë të plotë në fillim të angazhimeve, në veçanti për takime me interlokutorë të ndryshëm në MPJ të Bullgarisë.

Ambasadori Pllana është pritur edhe nga drejtoresha e protokollit në MPJ të Bullgarisë, Boriana Simeonova, e cila duke i uruar suksese në ushtrimin e funksionit të ngarkuar e njoftoi ambasadorin Pllana për zhvillimet e fundit në MPJ të Bullgarisë sa i përket menaxhimit të aktivitetit të përditshëm ne përputhje me masat e ndërmarra si pasojë e pandemisë.

Në vazhdën e takimeve me rastin e fillimit te detyrës, ambasadori Pllana priti në takim pune në ambasadën e RKS në Sofje edhe konsullin e nderit të RKS në Bullgari, Plamen Kopcev me të cilin bashkëbisedoi për objektivat dhe aktivitetet e përbashkëta që mund të planifikohen me qëllim të promovimit sa më të mirë të Republikës së Kosovës në Bullgari.