Follow us on:

Bullgaria konfirmon zotimin institucional për të thelluar marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë

Sofje, 1 prill 2021 - I ngarkuari i përkohshëm me punë në ambasadën e Kosovës në Sofje, ambasador Delfin Pllana, i shoqëruar nga këshilltari, Mustafë Avdiu, zhvilloi një takim të frytshëm me zv.ministrin e Ekonomisë Stamen Yanev, përgjegjës për vendet e Ballkanit Perëndimor. Bashkëbiseduesit u dakorduan që ekziston një potencial i madh i bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve për shumë arsye dhe se statistikat aktuale të komunikimit ekonomik nuk tregojnë pasqyrën reale të mundësive që ekzistojnë.

Ambasadori Pllana ndër tjerash nënvizoi nevojën e përshpejtimit të përmbylljes së kornizës kontraktuale të marrëveshjeve dypalëshe në fushën e ekonomisë dhe tërheqjes së investimeve. Ambasadori Pllana dhe zv.Ministri Yanev u dakorduan që në momentin e parë kur rrethanat me situatën pandemike të lejojnë bashkërisht të inicojnë mbajtjen e një forumi gjithpërfshirës ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.