Follow us on:

Ka ndërruar jetë ish-komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Klaus Reinhardt

Ish-komandanti i forcave paqeruajtëse të Kosovës (KFOR) Klaus Reinhardt, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.

Republika e Kosovës ka humbur njërin nga miqtë më të mëdhenj në Gjermani. Gjenerali Reinhardt mbetet njëri nga shëmbëlltyrat e angazhimit dhe e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ai ishte një mik e dashamirës i Republikës së Kosovës dhe kontributi i tij ndaj Republikës tonë nuk do të harrohet. Ka luajtur një rol prijës në stabilizimin dhe rritjen e sigurisë së gjendjes së Kosovës të dal nga lufta dhe do të mbahet mend për përpjekjet dhe qëndrimin e tij parimor për ribashkimin e qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe për heqjen e të gjitha barrikadave. Në librin e tij “KFOR, Forcat e Armatosura për Paqe. Ditari (shënimet) si komandant gjerman në Kosovë” hedh dritë mbi kujtimet gjatë shërbimit të tij në Kosovë.

Gjenerali Reinhardt ka shërbyer në Kosovë menjëherë pas luftës së Kosovës, duke zëvendësuar gjeneralin britanik të KFOR-it, Michael Jackson, dhe duke marrë drejtimin e forcave paqeruajtëse prej 50,000 ushtarësh nga 39 vende. Gjenerali Reinhardt si komandanti i parë gjerman i KFOR-it, qëndroi në këtë funksion deri më 18 prill 2000. Pas daljes në pension në vitin 2001, gjenerali Reinhardt kishte vijuar aktivitetin e tij në fushën e industrisë, si dhe duke ligjëruar në shkenca politike dhe historinë moderne.

I lindur në Berlin, ai ka studiuar histori dhe shkenca politike në Universitetin e Freiburgut. Gjenerali Reinhardt shkroi doktoratën e tij mbi dështimin e ofensivës gjermane jashtë Moskës në dhjetor 1941. Karriera ushtarake e gjeneralit Reinhardt kishte filluar qysh në vitin 1960 si kandidat për oficer për trupat malore. Tre vjet më vonë ai u bë udhëheqës i togës në Batalionin e Këmbësorisë Malore 222 në Mittenwald. Nga viti 1966 deri në vitin 1967 ai ka shërbyer si oficer i S3 në shtabin e batalionit.

Gjenerali Reinhardt ka përfunduar kursin e shtabit të përgjithshëm në akademinë komanduese të Bundeswehr-it në Hamburg nga viti 1973 deri në 1975, i ndjekur nga trajnimi i mëtejshëm i shtabit të përgjithshëm në SHBA. Pas gradimit të tij në nënkolonel, Reinhardt shërbeu si oficer shtabi në Grupin Qendror të Ushtrisë (CENTAG) të NATO-s në Heidelberg.

I graduar në kolonel, Reinhardt shërbeu si adjutant i ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes Manfred Wörner nga 1983 deri në 1986, përpara se të merrte komandën e Brigadës 23 të Këmbësorisë Malore në Bad Reichenhall. Në tetor 1988 Reinhardt u promovua në gjeneral brigade, i cili u pasua nga një pozicion si shef i departamentit të shtabit për planifikimin në stafin komandues të forcave të armatosura në Hardthöhe në Bon.

Si gjeneral major në tetor 1990 u bë komandant i Akademisë Komanduese të Forcave të Armatosura Gjermane. Reinhardt e transformoi këtë institucion në një institut strategjik-operativ dhe e hapi atë për ish-shtetet e Bllokut Lindor. Ai ka drejtuar misionet e para gjermane jashtë vendit në Somali, Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë.

Gjenerali Klaus Reinhardt vdiq më 30 nëntor 2021. Ai la pas gruan dhe dy djemtë.

Prehu në Paqe Mik i Madh i Republikës së Kosovës!